Arbëri

Ndalohen fluturimet mbi zonën operacionale të KEK-ut

KEK

Korporate Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se përmes një vendimi që e ka marrë nga KFOR-i, zona operacionale e kësaj korporate është shpallur “Zonë e ndaluar për fluturime”. Vendimi kishte hyrë në fuqi nga 1 shtatori.

Sipas njoftimit të KEK-ut të premten, ndalimi me theks të veçantë është te dronët.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë). Ky vendim ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2025”, ka njoftuar KEK-u.

Ky hap, sipas KEK-ut, përfaqëson dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.

KEK-u shprehu mirënjohjen për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj.

“Gjithashtu, KEK sh.a. falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim”, vijon njoftimi.