Zgjerimi i rrugës në Veternik, në vend se të krijojë lehtësira në komunikacion, e ka bërë të kundërtën.
Këtu, kolonat janë të gjata.
Ministria e Infrastrukturës, ka zgjeruar vetëm një pjesë të rrugës dhe vetëm pas disa metrave, nga 4 korsi mbesin sërish vetëm 2.
Qytetarët janë të pakënaqur me zvarritjen e punimeve dhe moszgjerimin e rrugës deri në Graçanicë, ashtu sikurse ishte premtuar, raporton “038” i KTV-së.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se punimet janë ndërprerë pasi projekti i trashëguar nga qeveria e kaluar ka qenë i planifikuar vetëm për gjysmën e rrugës.
Sipas zëvendësministrit Rexhep Kadriu, tashmë kanë nisur procedurat për ndërtimin e një rrethrrotullimi tjetër në hyrje të Prishtinës.
Qytetarët do të vazhdojnë të presin në kolona, pasi punimet për këtë rrethrrotullim nuk do të nisin këtë vit.
Kadriu ka thënë se do të përfundohet edhe rrethrrotullimi që lidh Pallatin e Drejtësisë me pjesën tjetër të qytetit.
Mirëpo, ka shtuar se projekti i hartuar nga qeverisja e kaluar do të ridizajnohet, pasi vlerëson se nuk është bërë në përputhje me kërkesat dhe zhvillimin e komunikacionit në atë pjesë.