Arbëri

Në 23 vjetorin e rënies së tre heronjve hapen dyert e kullës së Zahirit dhe dhurohet gjak

Podujevë, 31 janar- Përfaqësues të shoqërisë civile në bashkëpunim me banorë të fshatit Orllan të Podujevës kanë organizuar një aktivitet të dhurimit të gjakut në kullën e Zahir Pajazitit për të shënuar kështu 23 vjetorin e rënies së tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Në njoftimin e organizatës Sundimi i Demokracisë në Kosovë thuhet se për këtë përvjetor sot hapen dyert e kullës së heroit Pajaziti për të gjithë qytetarët që duan ta nderojnë sakrificën e këtyre të rënëve, raporton Koha Ditore.

“23 vjetori i rënies heroike të luftëtarëve të parë për liri Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Orllanin vendlindjen e Zahirit e gjen të stolisur me flamuj kombëtar përgjatë rrugës kryesore deri te kulla e Zahir Pajazitit. OJQ SDK në bashkëpunim me banorët e Orllanit, për nder të 31 janarit, të premten organizon edhe aktivitetin e dhurimit të gjakut nga vullnetaret në kullën e Zahir Pajazitit”, thuhet në njoftimin e Organizatës SDK.

Ky aktivitet, sipas Sundimit të Demokracisë në Kosovë, organizohet për nderim dhe mirënjohje për veprën dhe heroizmin e treguar nga heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

“Ftojmë të gjithë qytetaret e vendit te jen pjesë e këtij aktiviteti ku do të kenë mundësi te vizitojnë Kullën e Zahir Pajazitit, po ashtu të vendosin lule mbi varrin e tij dhe nëse dëshirojnë munden te dhurojnë gjak duke i nderuar heronjtë që na sollën lirinë. Heroizmi i Zahirit, Hakifit dhe Edmondit është dëshmia më e mirë se çlirimi dhe atdhedashuria për vendin dhe kombin qenë më të rëndësishme sesa jetët e tyre”.

Aktiviteti mbahet në kullën e Zahir Pajazitit prej orës 11:00 deri në 15:00.