Arbëri

Në Infektive bëhen analiza për rastet e trajtuara me terapinë që u pezullua nga OBSH-ja

Një nga 9 pacientët që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive është në gjendje kritike nga sëmundja e Covid-19.

Kurse 3 persona të tjerë gjithashtu janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në këtë klinikë po vazhdon trajtimin me oksigjenoterapi edhe një pacient, i cili në dy testet e fundit ka rezultuar negativ, raporton KOHA.

E në testet e fundit të IKSHPK-së 8 nga 9 personat e infektuar me koronavirus janë nga Komuna e Vushtrrisë.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë qytet ka thënë se të gjithë të infektuarit janë raste kontaktesh dhe se në mesin e tyre janë edhe 3 punëtorë shëndetësorë.

Disa ditë pasi që OBSH-ja mori vendim që ta pezullojnë testimin e ilaçit antimalaria hidroksiklorokinën tek pacientët me Covid-19, drejtoresha e Klinikës Infektive thotë se ata po e bëjnë analizën e rasteve që janë trajtuar dhe më pas do të merret një vendim.

Megjithatë, mjekët thonë se Klinika Infektive këtë ilaç e përdor me kujdes të shtuar tek pacientët.

Pas rekomandimeve të OBSH-së, Franca këtë të mërkurë ka marrë vendim që të ndalojë përdorimin e hidroksiklorokinës si ilaç për trajtimin e koronavirusit.

Vendimi i OBSh-së që ta pezullojë testimin e këtij ilaçi erdhi pas shqetësimeve të ngritura rreth sigurisë së përdorimit të tij tek pacientët me Covid-19.

OBSH-ja e kishte kundërshtuar vazhdimisht rekomandimin për përdorimin e hidroksiklorokinës si terapi për koronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë mbi 700 persona të shëruar nga Covid-19.