Komuna e Kamenicës ende nuk ka ndonjë vendim që do të qartësonte saktë propozimin e kryetarit të komunës për mbylljen e shkollave që kanë numër të vogël të nxënësve në këtë komunë.
Kur kanë mbetur edhe pak javë deri në fillimin e mësimit, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati vazhdon të insistojë se ndryshimet e parapara janë në të mirë të fëmijëve. E banorët e fshatit Roganë po e kundërshtojnë ende idenë, raporton KTV.
Me këtë reformë, parashihet që nxënësit e ciklit të ulët të fshatit Karaçevë e Ulët të vijojnë mësimin në fshatin Roganë, e nxënësit prej klasës së 6 deri në të 9-n mësimet do t’i ndjekin në Karaçevë të Epërme.
E kjo për banorët e Roganës, po konsiderohet si e rrezikshme, pasi që fshati Karaçevë e Epërme është në vijën kufitare me Serbinë.
Por, kryetari i komunës tregon se janë në fazën përfundimtare të përgatitjes së vitit të ri shkollor dhe se shumë shpejt do të ketë edhe vendim për këtë çështje.
Reforma e propozuar nga Kastrati parasheh mbylljen e shkollave që kanë numër të vogël nxënësish.
Nga 29 shkolla, sa ka aktualisht kjo komunë, me reformat e reja mund të mbesin vetëm 8 sosh.
Sipas propozimit, transporti do të sigurohet nga Komuna për nxënësit që duhet të vijojnë mësimin në fshatra të tjera nga ata ku banojnë.