Franca, Spanja dhe Serbia shihen si shtetet më penguese për Kosovën në rrugën e integrimit evropian, sipas anketës “Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian: Perceptimet e qytetarëve të Kosovës”, të realizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Lëvizja FOL”.
Sipas rezultateve, Gjermania shihet si përkrahësja kryesore e Kosovës në rrugën integruese.
Rreth 39 për qind e 1200 të anketuarve (prej të cilëve 800 shqiptarë, 200 serbë dhe 200 pakica të tjera, në 38 komuna), kanë thënë se besojnë që Kosova mund të bëhet shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030, ndërkaq rreth 31 për qind besojnë se kjo do të ndodhë deri në vitin 2025.
Të anketuarit e shohin kryeministrin Albin Kurti si politikanin më të përgatitur dhe më kontribuues në raport me integrimin e Kosovës me BE-në.
Institucionet e drejtësisë nga të anketuarit janë parë si më të papërgatitura për integrim në BE me 55 për qind, të pasuara nga partitë politike me 47 për qind.
Pyetja se cila parti politike shihet si më e përgatitura për t’i shtyrë reformat e Kosovës drejt BE-së ka nxjerrë partinë në pushtet Vetëvendosje në vendin e parë. Megjithatë duhet pasur parasysh që rreth 46% e të anketuarve nuk kanë dashur të flasin për partitë politike fare.
Tri pengesat politike kryesore për integrimin e Kosovës në BE, sipas qytetarëve, janë mosnjohja nga pesë shtetet anëtare, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe mosinteresimi i BE-së që Kosova të jetë anëtare.