Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Hajrullah Çeku, ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve të reja në secilën lagje të kryeqytetit nëse e fiton balotazhin më 9 nëntor.
Çeku në balotazh do të përballet me Përparim Ramën e LDK-së, që është kryetar aktual i kryeqytetit.
Në raundin e parë më 12 tetor Rama doli i pari me 35 mijë e 595 vota, ndërsa Çeku ishte i dyti me 35 mijë e 77 vota.
"Numri 105 është numri për çerdhe të reja. Dy çerdhe të reja për secilën lagje të Prishtinës", ka shkruar Çeku në Facebook.
Të martën Çeku mbajti tubim në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
“Në Kodrën e Trimave nuk ka munguar asnjëherë vullneti i banorëve; ka munguar drejtësia urbane, planifikimi komunal që respekton pronën, njeriun dhe dinjitetin, investimet kapitale të merituara për një lagje që ka kontribuar shumë më shumë sesa që ka marrë. Me Hajrulla Çekun kryetar, Kodra e Trimave do të jetë krenari për të kaluarën dhe model për të ardhmen sepse do të sigurojmë: Transformim të tërësishëm të lagjes përmes ndërtimit të lartë; Çerdhe të reja publike; Zgjidhje të plotë, të drejtë dhe transparente të çështjes së pronave; Zgjidhje përfundimtare për furnizimin e pandërprerë me ujë të pijes; Rrugë të sigurta me ndriçim publik, trotuare të reja, kufizim shpejtësie dhe kalime për këmbësorë; Parqe, kënde lojërash dhe hapësira gjelbëruese; Menaxhimi efikas i mbeturinave dhe mirëmbajtje e pastërtisë; Rehabilitim të sistemit të kanalizimit fekal dhe atmosferik”, ka shkruar kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherit kryetar i Vetëvendosjes.