Të ardhur nga zona të luftës, refugjatët në Kosovë i kanë ndarë përvojat e tyre të dhimbshme e sfiduese. Në Ditën Botërore të Refugjatëve ata kanë rrëfyer për dhimbjen, sfidat, guximin e shpresën.
Luftërat në Lindjen e Mesme e kanë sjellë në Kosovë Balqees Isan, së bashku me dy vajzat e saj.
Ajo ka treguar se rrugëtimi për të arritur deri në Prishtinë ka qenë i vështirë, ndërsa qëndrimi sfidues.
“Unë kam ardhur nga Jordania. Kam dy fëmijë dhe kam ardhur në Kosovë për të kërkuar paqe dhe siguri. Kur kam ardhur në fillim kisha frikë, sepse kam ardhur në një vend jo të njohur dhe isha e vetme e në përgjegjësi kisha dy vajzat e mia”, rrëfen ajo për përvojën e saj në Kosovë.
Ndjesi të njëjtë ka thënë se ka përjetuar edhe Matteo, një tjetër refugjat nga Lindja e Mesme.
“Kur kam ardhur së pari herë në Kosovë, unë jam ndier sikur po qëndroj mbrapa një xhamie. E shihja jetën jashtë, njerëzit ecnin, qeshnin, ekzistonin, por unë nuk isha pjesë e asaj jete. Pjesa më e vështirë nuk ishte se isha në një vend të ri, por ajo ndjenja sikur nuk ekzistoja. Isha sikur një lloj hije që po shikonte përtej xhamit”, tregon ai.
Përvojat e tyre, Isan dhe Matteo i kanë treguar në Ditën Botërore të Refugjatëve, e cila është shënuar të premten nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR.
Përfaqësues të këtyre organizatave kanë thënë se në këtë ditë duhet reflektuar për vuajtjet, por edhe për dinjitetin e atyre që janë detyruar të lënë gjithçka pas.
“I lanë shtëpitë e tyre, vendlindjet, të afërmit për ta kërkuar një jetë më të denjë dhe më të sigurt në Kosovë. Kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë për dhimbjet që i përjetojnë refugjatët dhe personat e zhvendosur me forcë, kjo ditë është një thirrje për solidaritet dhe veprim”, ka thënë Feride Rushiti, e cila është drejtoreshë ekzekutive në QKRMT.
E Arjun Shrestha, shef i Misionit të UNHCR-it në Kosovë, i ka numëruar sfidat globale që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së refugjatëve, përfshirë edhe krizën financiare dhe ristrukturimin e operacioneve.
“Me rritjen e nevojave globale dhe një krizë të thelluar të financimit, operacionet e UNHCR-it, përfshirë edhe këtu në Kosovë, po kalojnë në një proces ristrukturimi. Megjithatë, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të mbështetur, mbrojtur dhe qëndruar në solidaritet me ata që janë zhvendosur”, ka thënë ai.
Për sfidat ka folur edhe koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Arnhild Spence, teksa e ka theksuar progresin e arritur në Kosovë lidhur me çështjen e refugjatëve.
“Që nga viti 2000, mbi 29.000 persona të zhvendosur nga komunitetet joshumicë kanë gjetur zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe, por çështja e zhvendosjes në Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën nuk ka përfunduar ende”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të UNHCR-it, në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 300 refugjatë, kryesisht nga Siria, Jordania, Palestina dhe Afganistani.