Arbëri

Qendra dedikuar pacientëve pas sulmit në tru, pa staf e me vetëm tetë intervenime

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Foto: Ilustrim

Ani pse Qendra Stroke në QKUK është funksionalizuar në vitin 2020, që atëherë janë realizuar vetëm tetë intervenime me procedurën e njohur si trombektomi mekanike. Kjo metodë e cila mundëson furnizimin e trurit me gjak te pacientët që pësojnë sulm në tru, nuk ka gjetur zbatim më të shpeshtë, shkaku i mungesës së radiologëve të trajnuar. E në Klinikën e Radiologjisë kanë thënë se gjatë këtij viti presin që për aftësim në këtë procedurë t’i dërgojnë në Turqi dy radiologë

Klinika e Radiologjisë parasheh që gjatë këtij viti t’i dërgojë për në Turqi dy radiologë për trajnim në kryerjen e intervenimit të trombektomisë mekanike, një metodë e trajtimit që e mundëson rikthimin e furnizimit të trurit me gjak, pas sulmit në tru.

Vetëm tetë raste të komplikuara me këtë indikacion shëndetësor janë trajtuar në Qendrën Stroke të QKUK-së, që nga funksionalizimi i saj në vitin 2020.

Drejtoresha e Radiologjisë, Shkendije Nuza, ka thënë se numri i ulët i trajtimeve është pasojë e mungesës së stafit të trajnuar, përderisa ka bërë të ditur se deri më tani vetëm një mjek është i trajnuar për këtë procedurë.

“Planifikimi ynë i parë është që së pari të shkojnë dy radiologë të trajnohen. Kemi një mbështetje prej një doktoreshe, të them shqiptare, por që jeton dhe vepron në Turqi. Ajo ka shprehur gatishmërinë të na mbështetë. Të shohim tutje. Ajo është e gatshme vetëm pret një iniciativë prej anës sonë. Na ka ftuar: ‘Kur të jeni të gatshëm vetëm dërgoni emrat’. Qëllimi i saj është sa më të rinj dhe sa më pak të dinë për diagnostikën që t’i përgatitin vetë sa më mirë”, ka thënë Nuza.

Sipas saj trombektomia mekanike, është procedura e njohur kur bllokohet një enë e gjakut në tru.

“Krijohet trombi brenda enës së gjakut që ka mbyllur një enë të gjakut dhe të shkon përmes procedurave intervente endovaskulare tërhiqet trombi mbrapa dhe lirohet ena e gjakut e truri kursehet”, ka sqaruar drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, teksa ka bërë të ditur se kanë kaluar diku rreth dhjetë muaj prej kur është realizuar rasti i fundit me këtë procedurë.

Jashtë këtij shërbimi Nuza ka thënë se në Qendrën Stroke, në kuadër të Klinikës së Neurologjisë, bëhen trajtimi i trombolizave, si dhe intervenime të tjera endovaskulare.

“Është funksionale në fakt si qendër, për arsye se e vetmja procedurë që nuk është duke u bërë është trombektomia mekanike. Por në përgjithësi jemi duke funksionuar shumë mirë si Klinikë. Me Klinikën e Neurologjisë ne mbulojmë shërbimin me CT, domethënë 12 orë është standard tekniku prezent, ndërsa 12 orë të natës në dakordim me drejtorin e Neurologjisë rastet e rënda, pa vetëdije, të palëvizshëm e të ngjashëm shkon tekniku prej klinikës këtu bën CT dhe interpretohet nga radiologu”, ka thënë Nuza.

Ajo ka thënë me funksionalizimin e plotë të Qendrës do të lehtësohej shërbimi për pacientë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë bënë të ditur për KOHËN se gjatë nëntorit të shkuar është miratuar plani i veprimit të Qendrës për vitet 2022-2025 dhe se ai do të nisë së zbatuari gjatë këtij viti.

“Ky plan parasheh trajtimin bashkëkohor të insultit iskemik, që konsiston në aplikimin e terapisë trombolitike dhe trombektomisë në fazën e hershme të sëmundjes, e cila mundëson rikthimin e furnizimit të trurit me gjak. Këto trajtime, të cilat ende nuk ofrohen në institucionet shëndetësore në Kosovë, synohet që të funksionalizohen nëpërmjet këtij plani. Plani gjithashtu synon edhe vetëdijesimin e publikut, parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Insulti është çrregullim i funksionit të trurit, si pasojë e pengesës së furnizimit të tij me gjak. Ai mund të jetë iskemik, që ndodh si pasojë e bllokimit të qarkullimit të gjakut në një pjesë të trurit.

Bazuar në përgjigjen e Ministrisë, kostoja për planin është përcaktuar dhe do të zbatohet me qëllim të trajtimit të kësaj patologjie specifike.

Për herë të parë në QKUK, është realizuar heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike në mars të viti 2020.