Arbëri

Në Podujevë dhurohen farë dhe bimë mjaltëdhënëse

Fermerë nga Podujevë kanë përfituar farë dhe bimë mjaltëdhënëse nga projekti “Gruaja dhe mbrojtja e ambientit përmes aktiviteteve bujqësore” i realizuar përmes memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Podujevës dhe UNDP-së.

“Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu në bashkëpunim me organizatën EcoKosWomen sot gjatë ditës kanë marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes me bimë dhe fara mjaltëdhënëse për fermerët llapjanë, në kuadër të projektit ‘Gruaja dhe mbrojtja e ambientit përmes aktiviteteve bujqësore’. Përmes këtij projekti i cili buron nga memorandumi i bashkëpunimit mes Komunës së Podujevës dhe UNDP-së, organizata EKW ka shpërndarë fidanë të ‘Sherbeles’ dhe farë të ‘Facelijas’, të cilat shërbejnë si bimë mjaltëdhënëse për bujqit që merren me blegtori”, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim.

Me këtë rast, drejtori Salihu ka thënë se ky projekt qëllimin kryesor e ka rritjen e prodhimtarisë së mjaltës, i cili ka uruar ë përfituesit të kenë për arritje të kënaqshme të rendimenteve.

“Ndërsa përfaqësuesja e EKW e ka falënderuar Komunën e Podujevës për bashkëpunimin dhe i ka uruar përfituesit duke bërë thirrje për punë të vazhdueshme duke i inkurajuar veçanërisht gratë që të aplikojnë në projekte të tilla. Komuna e Podujevës do të vazhdojë me projekte të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve të Podujevës për mbrojtjen e ambientit dhe adaptimin në ndryshimet klimatike përmes aktiviteteve bujqësore”, përfundon njoftimi.