Arbëri

Në Podujevë rrugët të kalueshme, por kërkohet kujdes nga vozitësit

Kujdes gjatë ngasjes së automjeteve është kërkuar nga zyrtarët komunalë të Podujevës pas reshjeve të borës që kanë filluar nga mbrëmja e së hënës dhe kanë vazhduar edhe të martën paradite. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se kompania e kontraktuar ka intervenuar aty ku ka pasur nevojë për hapjen e rrugëve nga bora.

“Gjendja në Komunën e Podujevës pas reshjeve të borës është plotësisht e menaxhueshme. Ne kemi një kontratë aktive për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe nga mbrëmja e kaluar kemi përcjell situatën në terren për të intervenuar aty ku ka nevojë. Meqenëse orëve të fundit nuk kemi pasur reshje të borës, gjendja e rrugëve është stabilizuar dhe qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht. Megjithatë kërkojmë nga ana e qytetarëve dhe veçanërisht vozitësve të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit”, ka thënë Zhitia.

Ndërkohë, nëpërmjet një njoftimi edhe Komuna e Obiliqit tregon se janë duke i pastruar sheshet dhe trotuaret nga bora.

“Me fillimin e reshjeve të borës, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në bashkëpunim me NPL ‘Kastrioti’ sha.a. kanë filluar aksionin për pastrimin e shesheve dhe trotuareve nga bora qysh në orët e para të mëngjesit”, thuhet në njoftim.