Në episodin e 25-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është themeluesi i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak. Pjesa II.


 

Çanak: Rusia e sheh Serbinë si një aeroplanmbajtëse që s’fundoset në zemër të BE-së

3 o. më parë / 28 sht 2025 20:34
Nenad Çanak

Politikani serb Nenad Çanak, lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, ka thënë se Rusia e sheh Serbinë si një aeroplanmbajtëse që s’fundoset në zemër të Bashkimit Evropian. Sipas tij, Moska e përdor Serbinë si një pikë të qëndrueshme për të ushtruar ndikim dhe destabilizuar rajonin në mënyrë strategjike.

Në podcastin PIKË me Veton Surroin, Çanak shpjegoi se Serbia ka humbur rëndësinë praktike në rrjetin e infrastrukturës evropiane, pasi rrugët tregtare dhe korridoret logjistike po anashkalojnë territorin e saj. Ai theksoi se Bashkimi Evropian e ka kuptuar rrezikun e paqëndrueshmërisë që vjen nga Serbia dhe për këtë arsye po orienton trafikun përmes Bullgarisë dhe Rumanisë – rreth Serbisë, pa dogana dhe pa telashe.

“Nuk ia vlen të merresh me Serbinë”, u shpreh Çanak, duke theksuar se problemi qëndron te pozicioni politik dhe roli që Serbia ka zgjedhur në rajon. Sipas tij, përmes paqëndrueshmërisë, Rusia fut këshilltarë ushtarakë dhe spiunë në Ballkan.

Në bisedë me Surroin, u përmend edhe deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se kishte marrë informacione nga shërbimet ruse për një skenar të mundshëm “Maidan” në Beograd – një referencë ndaj revolucionit në Ukrainë. Kjo, sipas Çanakut, tregon varësinë e qartë të regjimit serb ndaj Rusisë, veçanërisht duke pasur parasysh se ish-shefi i shërbimit sekret serb, Aleksandar Vulin, është dekoruar nga inteligjenca ruse.

Surroi vuri në pah një tjetër gabim që, sipas tij, bëjnë shpesh diplomatët ndërkombëtarë: krahasimi mes politikës së Vuçiqit dhe pozicionit të Josip Broz Titos në epokën e të paangazhuarve.

“Në një moment, Tito i tha jo Rusisë dhe u afrua me NATO-n. Vuçiqi nuk e ka bërë një gjë të tillë – përkundrazi, ka mbajtur Serbinë të mbërthyer në një zonë gri”, theksoi ai.

Çanak e përmbylli duke thënë se shkatërrimi i Jugosllavisë nuk ka përfunduar ende, jo sepse nuk janë krijuar mjaftueshëm shtete, por sepse mungoi një ndarje paqësore. Në vend të një modeli si ai i Çekosllovakisë, Ballkani kaloi përmes luftërave të përgjakshme, që lanë plagë të hapura – të cilat, sipas tij, shfrytëzohen për manipulime politike dhe për të larguar vëmendjen nga çështjet sociale në kohë paqeje.

 

Çanak: Kisha serbe është mashtrim i pastër

3 o. më parë / 28 sht 2025 20:22
Nenad Çanak

Në një diskutim në podcastin PIKË me Veton Surroin, Nenad Çanak, lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, shprehu qëndrim kritik ndaj Kishës Ortodokse Serbe, duke e cilësuar atë si “mashtrim të pastër”.

Çanak argumentoi se ky institucion nuk është një kishë autentike serbe, por një strukturë që u krijua pas formimit të shtetit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në vitin 1918. Ai theksoi se, përmes manipulimeve të shumta, Kisha Ortodokse Serbe ka arritur të pozicionohet si një entitet me ndikim të madh në Serbi, por pa pasur një lidhje të sinqertë me popullin serb.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte lidhja e Kishës Ortodokse Serbe me politikën dhe pushtetin. Çanak theksoi se kisha është shumë afër regjimit, duke u bërë një degë e Beogradit për të ushtruar ndikim mbi shoqërinë. Ai kritikoi gjithashtu ndikimin e Kishës Ortodokse Ruse, duke e quajtur një sistem të ngjashëm dhe duke theksuar se kishat shpesh kërkojnë pushtet dhe para, duke e shfrytëzuar këtë për të ushtruar ndikim të madh.

Përveç kësaj, Çanak e hodhi poshtë pretendimin që kisha është “serbe” duke theksuar se, sipas kanoneve ortodokse, një kishë duhet të qëndrojë pranë besimtarëve të saj dhe të përfaqësojë interesat e tyre, diçka që sipas tij nuk ndodh me Kishën Ortodokse Serbe.

Në një moment tjetër të bisedës, Surroi theksoi se e gjithë kjo përzierje e religjiozitetit dhe politikës bëhet më rrezikshme kur lidhet me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me qëndrimin e patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe ndaj Rusisë dhe ndikimin e saj në Ballkan. Kjo, sipas Surroit, është “kombinim i tmerrshëm” që mund të shkaktojë tensione të mëdha, sidomos duke përfshirë çështjen e Kosovës dhe aspiratat serbe për një “botë serbe”.


 

Çanak: Gjingjiqi, shembulli që më e mira nuk është gjithmonë e duhura

3 o. më parë / 28 sht 2025 20:07
Nenad Çanak

Në një diskutim në podcastin PIKË, Nenad Çanak, lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, shprehu mendime kritike ndaj ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, duke e konsideruar si dëshmi se edhe “më e mira” nuk është gjithmonë zgjidhja e duhur. Çanak theksoi se edhe ai që dukej si opsioni më i mirë për Serbinë, nuk mund të quhej një qeveri e vërtetë demokratike.

Përballë këtyre vlerësimeve, publicsti Veton Surroi argumentoi se problemi i vërtetë në Ballkan nuk është thjesht konflikti Kosovë–Serbi, por Serbia si një “shtet i papërfunduar”, që vazhdon të gjenerojë kriza të reja, përfshirë ato me Bosnjën dhe Malin e Zi. Ai theksoi se ndërkombëtarët shpesh nuk e lidhin situatën në rajon me këtë problem themelor të Serbisë.

Gjatë diskutimit, Çanak shpalosi një moment kyç nga periudhën e qeverisjes së Gjingjiqit, ku një diskutim mbi gjetjen e varrezave masive të viktimave të luftës në Kosovë, solli një përplasje mes tij dhe kryeministrit serb të atëhershëm. Sipas Çanakut, pavarësisht pasigurisë mbi hapjen e këtyre çështjeve, Zoran Gjingjiq e mbylli diskutimin, duke shprehur shqetësimin për pasojat ekonomike që do të kishte për Serbinë. Sipas Çanakut, ky ishte veç një justifikim.

Çanaku u shpreh se vrasja e Gjingjiqit ishte rezultat i natyrshëm i tensioneve dhe dështimeve politike, duke theksuar se një ndryshim real në politikën e Serbisë mund të arrihej vetëm duke pastruar deri në fund rrugën politike të vendit.