Arbëri

Syla pas kërkesës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Si t’i bindim pastaj fëmijët se ishim çlirimtarë

Gazmend Syla

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se nuk është befasi e madhe kërkesa e Prokurorisë së Gjykatës Speciale që të dënohen me 180 vjet burgim total katër ish-krerët e UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ai ka kritikuar deklaratën e kryeprokurores së Speciales, Kimberley West, se nuk dënohet shtabi.

Syla në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se ata kanë qenë udhëheqës të UÇK-së prandaj nuk mund të gjykohen si individë. Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së është shprehur që në rast se dënohen, do të jetë tepër e vështirë t’i bindin fëmijët në të ardhmen se kanë qenë çlirimtarë.

“Nuk është që na ka befasuar shumë sepse dihet çka kërkon Prokuroria dhe mbi bazën e asaj që e ka bërë deri sot, e kemi pritur. Fundja kjo është edhe kërkesë e Serbisë, që të gjykohen e dënohen bashkëluftëtarët tanë të UÇK-së. Fatkeqësisht nuk do të kemi çka t’iu tregojmë fëmijëve tanë, tepër e vështirë t’i bindim që kemi qenë çlirimtarë e jo kriminelë sepse e kotë është kjo tendenca e Prokurorisë së Gjykatës Speciale që thotë se po i gjykojmë si individë. Nuk mund t’i ndash si individë njerëzit që kanë udhëhequr me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Do të jetë tepër e vështirë edhe për Kosovën në rrafshin diplomatik. A do të mundet ndonjëherë Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid pastaj”, ka thënë Syla.

Sipas Sylës, Prokuroria ka vepruar me dëshmitarë të rremë. Ai ka bërë krahasimin me rastin e gjykimit të Ramush Haradinajt se si një dëshmitar është korruptuar sepse Prokurorisë i është dashur disi të ngrejë aktakuza, por që një gjë e tillë këtë dëshmitar e bëri shumë të pasur.

 “Ne kemi pasur edhe procese të tjera, ju e dini rastin e Haradinajt, Limajt e rasteve të tjera. Shumë dëshmitarë janë joshur që të jenë dëshmitarë të Prokurorisë sepse Prokurorisë i është dashur të ngreh aktakuzën. Dëshmitarëve iu kanë ofruar kushte të mira. Njoh shumë dëshmitarë në rastin Haradinaj që ia kanë parë hajrin dhe i kanë bërë kushtet më mirë se të gjithë bashkëfshatarët që i kanë afër. Janë korruptuar. E kam parë një dëshmi kur një dëshmitar thotë që mua më është dhënë një shuplakë dhe Haradinaj nuk ka ndërhyrë kur ma ka dhënë atë shuplakë dhe sot ai person është milioner. E keni me garancë këtë gjë. Ai me familjen e tij ka shkuar jashtë dhe kanë shumë shumë para dhe jetojnë si ‘bosa’”, ka thënë Syla.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, tutje në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se është koha që Gjykata ta tregojë veten që është e paanshme, ndonëse shprehet që i druhet një gjëje të tillë.

“Gjykata është dashur ta tregojë veten së paku në këtë moment. Të tregojë që është e paanshme, të tregojë që dëshiron të nxjerrë drejtësi për atë që ka ndodhur në vitet 98-99. Megjithatë i druhem kësaj sepse që nga fillimi ka qenë e njëanshme. Është gjykatë që nuk mbahet në mend që ka ndodhur në ndonjë vend tjetër, që të krijohet një gjykatë që ka target vetëm një vend”, ka thënë Syla.

Sa i përket organizimit të protestave, Syla ka thënë se shumë partnerë ndërkombëtarë i kanë mbështetur sepse siç Syla i citon – kanë thënë që duam ta shohim përceptimin e popullit për veprimet e Gjykatës Speciale.

Syla ka thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk e kanë pasur mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe sipas tij, po të ekzistonte kjo mbështetje, impakti i saj ndoshta do të ishte deri në lirimin e tyre.