Arbëri

Nëntë muaj pas ndarjes së mjeteve, s’ka kontratë për blerje të byzylykëve elektronikë

Qeveria e Kosovës

As pas nëntë muajsh prej kur Qeveria ka ndarë mjetet për nisjen e implementimit të Ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave, nuk ka kontratë të nënshkruar për blerjen e byzylykëve specifikë. Burime të KOHËS kanë thënë se pengesë janë bërë procedurat e prokurimit në MPB. E në shoqërinë civile thonë se mjetet e ndara janë të pamjaftueshme

600 mijë eurot e ndara nga Qeveria para 9 muajve për sistemin e mbikëqyrjes elektronike të personave, për të cilët ka urdhër gjyqësor, nuk kanë kryer punë për nisjen e implementimit të ligjit që ka hyrë në fuqi para 9 vjetësh.

Burime të KOHËS kanë thënë se pengesë janë bërë procedurat e prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pranuar javë më parë se ka vonesa shkaku i disa shkeljeve që janë bërë në procedura tenderuese. Por, ajo ka thënë që në momentin që nënshkruhet kontrata do të blihen edhe byzylykët elektronikë.

“Do të instalohen në momentin kur nënshkruhen kontratat, sepse zbatimin e ka Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë ajo më 25 nëntor.

As në Ministrinë e Punëve të Brendshme, as në Polici e as në Qeveri nuk kanë ofruar sqarime lidhur me këtë proces.

Në shoqërinë civile thonë se, marrë parasysh sistemin e kushtueshëm, mjetet e ndara janë të pamjaftueshme për përmbushjen e projektit dhe se çështja e implementimit të ligjit po bëhet prioritet vetëm pasi rastet e dhunës në familje po përfundojnë më fatalitet.

“Kjo Qeveri ka thënë se i ka filluar procedurat lidhur me implementimin e këtij ligji vetëm pasi kemi parë një rast që është vrarë një grua në QKUK. Në këtë situatë çfarë jemi, nëse themi vazhdimisht se dhuna në familje duhet të jetë si qëllim institucional, që të njëjtat ta parandalojnë dhunën në familje dhe kur e shohim moszbatimin e këtij ligji deri më tani, definitivisht se nuk reflektohet ajo që proklamohet, pra nuk trajtohet parandalimi i dhunës në familje si prioritet qeveritar dhe institucional”, ka thënë Gzim Shala nga IKD-ja.

Mbikëqyrja elektronike parashihet të bëhet për personat që gjykata ua ka vendosur masën e sigurimit të pranisë së tyre, si dhe ndaj atyre që gjykata ka vendosur urdhra mbrojtës.

Vitin e kaluar Këshilli Gjyqësor bëri të ditur se për vitin 2022 gjykatat kanë lëshuar 1 mijë e 333 urdhra mbrojtës, te të cilat raste do të aplikohej mbikëqyrja elektronike.