Arbëri

Nga 77 mijë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjidhur vetëm 17 mijë lëndë

Hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se bazuar në raportet dhe analizat e kaluara, numri i madh i lëndëve të pazgjidhura do të ndikojë edhe në vitet e ardhshme në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve dhe stabilitetin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Megjithëse Gjykata nuk ka dhënë shifra, ai i ka treguar shkaqet dhe arsyet që çojnë edhe në parashkrimin e lëndëve

Numër i madh i lëndëve kanë mbetur të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës bashkë me degët e saj në Podujevë, Drenas, Lipjan e Graçanicë gjatë vitit 2020. Kjo Gjykatë në të cilën përfshihen edhe lëndët që vijnë nga komunat Fushë-Kosovë e Obiliq gjatë vitit të kaluar i ka pasur në punë 77 mijë e 736 lëndë penale e civile (21,581 penale dhe 56,155 civile). Prej tyre ka arritur t’i kryejë vetëm 17 mijë e 384 lëndë, ndërsa i kanë mbetur të pazgjidhura edhe 60 mijë e 352 lëndë (15,209 penale dhe 45143 civile).

KOHA ka drejtuar pyetje në adresë të kësaj Gjykata edhe për vlerësimin e punës së gjyqtarëve gjatë vitit të kaluar dhe po ashtu për numrin e lëndëve që kanë arritur parashkrimin për shkak të përfundimit të afateve për të trajtuar një lëndë, por përgjigjet në këto dy pyetje kanë munguar. Numrin e lëndëve që kanë arritur parashkrimin nuk e dinë as në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuesit e të cilit e monitorojnë punën e gjykatave.

Gzim Shala, hulumtues i lartë ligjor në këtë Institut, thotë se sikurse edhe pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2020 është ndikuar nga situata e krijuar me pandeminë COVID-19.

“Krahas mbylljes së përgjithshme të sistemit gjyqësor që kishte zgjatur rreth dy muaj e gjysmë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pezulluar aktivitetin e saj edhe një herë tjerët”, ka thënë Gzim Shala.

Sipas raportit vjetor të cilin zyrtarja për informim publik në Gjykatën Themelore, Mirlinda Gashi, ia ka dërguar KOHËS, shihet se vetëm Gjykata në Prishtinë bashkë me lëndët nga Fushë-Kosova dhe Obiliqi (të cilat ende nuk kanë degë të tyre), gjatë vitit të kaluar i ka pasur 13 mijë e 271 lëndë penale të trashëguara, 4,216 të pranuara gjatë 2020-s (gjithsej 17,487). Prej tyre ka arritur t’i zgjidh 4,604, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur 12,883.

Por, numër tejet më i madh është i lëndëve civile që kjo Gjykatë i ka pasur gjatë vitit 2020. Sipas raportit të GJTHP, janë 40 mijë e 902 lëndë që i ka pasur Gjykata Themelore e Prishtinës (përfshirë edhe lëndët nga Fushë-Kosova dhe Obiliqi). Prej tyre 26 mijë e 465 janë trashëguar nga viti paraprak, ndërsa 14 mijë e 437 lëndë janë pranuar të reja. Kjo Gjykatë gjatë vitit të kaluar ka arritur t’i zgjidh 7 mijë e 748, ndërsa kanë mbetur edhe 33 mijë e 154 lëndë të pazgjidhura.

“Sa i përket Gjykatë Themelore në Prishtinë (pa degë) në fushën penale kjo gjykatë gjatë vitit 2020 ka zgjidhur rreth 400 lëndë më shumë se sa që ka pranuar. Por, probleme të mëdha tanimë janë krijuar në fushën civile. Kjo pasi nga totali i lëndëve civile që kjo gjykatë ka pranuar, ka zgjidhur vetëm 53.66% të këtyre lëndëve. Në këtë mënyrë, në fund të vitit 2020, kjo gjykatë ka pasur 6,689 lëndë më shumë të pazgjidhura, në raport me fillimin e vitit 2020”, ka theksuar Gzim Shala nga IKD.

Bazuar në raportet dhe analizat e kaluara të IKD-së, sipas Shalës, ky numër do të ndikojë edhe në vitet e ardhshme në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve dhe stabilitetin e kësaj gjykate me numër të lëndëve. Ndonëse në shifra të ndryshme, ai thotë se situata është e kësaj natyre edhe në degët e kësaj gjykate.

E në raportit e Gjykatës shihet se Dega e saj në Podujevë gjatë vitit 2020 i ka pasur në punë 1 mijë e 225 lëndë penale. 657 lëndë i ka të trashëguara, kurse 568 të tjera i ka pranuar gjatë vitit të kaluar. Prej tyre 748 ka arritur t’i zgjidh, ndërsa i kanë mbetur të pazgjidhura edhe 477. Po ashtu e njëjta, gjatë vitit të kaluar i ka pasur edhe 5 mijë e 372 lëndë civile. Prej tyre 2 mijë e 542 lëndë i ka pasur të trashëguara, 2 mijë e 830 të tjera i ka pranuar. Gjatë vitit 2020 ka arritur t’i zgjidh 1 mijë e 145, ndërsa i kanë mbetur edhe 4 mijë e 227 lëndë tjera.

Në Degën tjetër në Drenas të Gjykatës Themelore të Prishtinës kanë qenë 684 lëndë penale në vitin 2020. 260 kanë qenë të trashëguara dhe 424 të pranuara. Prej tyre ka arritur t’i zgjidh 391 lëndë penale, kurse i kanë mbetur të pazjidhura edhe 293 të tjera.

Sa i përket lëndëve civile, kjo Degë e Gjykatës Themelore të Prishtinës gjatë vitit të kaluar i ka pasur 3 mijë e 384 lëndë. Prej tyre 1 mijë e 500 të trashëguara dhe 1 mijë e 884 të pranuara. Siç shihet në raport, gjatë vitit 2020 ka arritur t’i zgjidh 494, ndërsa i kanë mbetur të pazgjidhura 2 mijë e 890 lëndë.

Lëndë më pak ka pasur në Degën në Graçanicë. Gjatë vitit të kaluar ajo i ka pasur 418 lëndë penale të trashëguara dhe 134 të pranuara (gjithsej 552). Prej tyre janë zgjidhur 91 dhe kanë mbetur të pazgjidhura 461 lëndë penale. Por, më shumë lëndë ka pasur në civile, gjithsej 1 mijë e 301 (802 të trashëguara, 499 të pranuara). Gjatë vitit të kaluar kjo Gjykatë ka arritur t’i zgjidh vetëm 278 lëndë, ndërsa i kanë mbetur 1 mijë e 23 lëndë tjera.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Dega në Lipjan gjatë vitit 2020 kanë qenë 1 mijë e 633 lëndë penale (1,101 të trashëguara dhe 532 të pranuara. Prej tyre ka arritur t’i zgjidh 538, kurse të pazgjidhura i kanë mbetur 1 mijë e 95 lëndë. Kurse sa i përket Departamentit civil, kjo Degë gjatë vitit të kaluar i ka pasur 5 mijë e 196 lëndë (2,036 të trashëguara dhe 3,160 të pranuara). Ka arritur t’i kryejë 1 mijë e 347 lëndë, ndërsa i kanë mbetur të pazgjidhura 3 mijë e 849 lëndë të tjera.

Në raportin e GJTHP-së dërguar KOHËS nuk janë përfshirë edhe lëndët që kanë arritur parashkrimin. Hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka gjeneruar të dhënat lidhur me numrin e rasteve të parashkruara sipas veprave penale gjatë vitit 2020. Mirëpo, bazuar në raportet e viteve paraprake, Gzim Shala i ka treguar shkaqet që çojnë në parashkrimin e lëndëve.

“Në raportet e kaluara, IKD kishte gjetur se parashkrimi është dukuri shumë e theksuar, veçanërisht në lëndët që gjykohen në departamentet e përgjithshme. Bazuar në gjetjet e raporteve paraprake, IKD ka gjetur se shkaqet e parashkrimit të lëndëve kategorizohen në ato objektive dhe subjektive. Sa i përket shkaqeve objektive, bëhet fjalë për numrin e madh të lëndëve të akumuluar ndër vite si dhe numrin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve përballë këtij akumulimi”, ka deklaruar Shala. “Sa i përket zgjatjes së afateve ligjore të parashkrimit, këto afate ende nuk kanë dhënë efektin e tyre, pasi të gjitha rastet që kanë qenë në proces para hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal, në kuptim të parashkrimit, trajtohen sipas afateve të mëhershme, për shkak se janë më të favorshme për të pandehurit”.

Duke i numëruar arsyet subjektive të parashkrimit të lëndëve, Shala thotë se bëhet fjalë për mungesën e planifikimit të punës dhe efikasitetit të gjyqtarëve, si dhe dështimin e mekanizmave të Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për t’i mbajtur përgjegjës gjyqtarët për shkak të parashkrimit të rasteve.

“Në këtë drejtim, janë përjashtuese rastet kur KGJK ka mbajtur ndonjë gjyqtar përgjegjës për shkak të parashkrimit të lëndëve. Për më tepër, edhe inspektimi i KGJK-së në këtë fushë del të jetë i pamjaftueshëm”, ka thënë ai.