Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ngrihen çmimet e biletave të linjave ndërurbane, kërkohet dora e Qeverisë

Autobus - transport nderurban

Rritja e çmimit të naftës në Kosovë është reflektuar drejtpërdrejt edhe në xhepin e qytetarëve. Biletat ndërurbane tashmë kanë nisur të shtrenjtohen në disa linja, ndërsa janë paralajmëruar rritje të tjera nëse trendi vazhdon. Qytetarët e konsiderojnë këtë barrë të papërballueshme, ndërkohë që transportuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Qeveria për të lehtësuar situatën

Elda Islami

Rritja e çmimit të naftës, e cila ka shkuar gati në 1.80 euro për litër, ka ndikuar menjëherë edhe në rritjen e çmimeve të biletave në disa linja ndërurbane.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për relacionet Prishtinë–Rahovec nga 3.50 euro sa ishte bileta, tash e tutje do të jetë 4 euro, ndërsa për Prishtinë–Mitrovicë, nga 1.50 euro, çmimi tash është 2 euro.

Rritje të çmimit të biletave ka edhe për relacionet e tjera. 

Shtrenjtimin e biletave qytetarët e kanë konsideruar të padrejtë dhe të papërballueshëm për ta.

Ata kanë kërkuar nga shteti që të merren masa.

“Po, sigurisht ndikon në gjithçka. S’kemi çka me ba, nuk e kemi ne në dorë. Me dalë në protestë, nuk di njeri çka me ba. Si të rritet nafta, rriten të gjitha”, ka thënë Avdi Kodralia, banor në Prishtinë.

Të shqetësuar me këtë trend të rritjes janë shprehur edhe qytetarët Ganit Hoti e Nazmi Haziraj.

“Kjo shkon sipas standardit, siç është nafta atje. Nuk e kanë fajin as këta. Ndikon shumë. Nuk kemi kapacitet, rrogat janë shumë të vogla për këtë çmim. Me rroga 500-600 euro nuk mundesh me ba gjë. Edhe unë kam fëmijë që udhëtojnë çdo ditë, duhet me shty si të mundemi”, ka thënë Hoti.

“S’është e drejtë fare. Nëse e merr situatën momentale në Kosovë, është shumë keq që e kanë bërë këtë shtrenjtim. Ndikon mjaft, sepse dihet çka mund të përballojë një qytetar me këtë shportë. Edhe kjo biletë ndikon – shumë shtrenjtë, shumë keq. Prandaj duhet të merret një iniciativë për t’i rregulluar këto gjëra, sepse nuk shkon që hapi i parë të jetë ngritja e çmimeve”, ka thënë Haziraj.

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” ka theksuar se kjo ngritje e çmimeve të naftës do të ketë efekt edhe në ngritjen e produkteve të tjera.

“Çdo ngritje e çmimit, kësaj radhe të karburantit, shkakton efekte të ashtuquajtura domino. Kjo rritje e çmimit do të ndikojë në ngritjen e të gjitha çmimeve të tjera, pa marrë parasysh përqindjen e derivatit në një prodhim të caktuar. Në transport, nëse rritja e çmimit të derivateve është 30%, atëherë biletat shkojnë deri në 50%. Kjo nuk është reale, por as 20% nuk është reale, sepse rritja prej 30% e derivatit nuk ndikon në mënyrë proporcionale në çdo çmim të biletës”, ka thënë ai.

Kaçaniku ka shprehur shqetësimin se pas rënies së çmimit të naftës, çmimet e ngritura nuk do të preken dhe, sipas tij, Qeveria nuk është duke marrë masa.

E Jakup Berisha, kryetari i Unionit të Shoqatave të Transportit Rrugor, është shprehur se gjendja e transportuesve është e rëndë. 

Sipas tij, deri në 75 për qind e të hyrave të kompanive shkojnë për karburante. 

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të ndalur rritjen e çmimit të naftës.

“Atëherë do të duhej që Qeveria të ndërhyjë dhe të ulë ose ta heqë fare akcizën derisa të jetë gjendje emergjente apo gjendje lufte, sepse këto janë kushte të jashtëzakonshme. Shteti duhet të ketë edhe rezerva të naftës, siç ka për grurin, miellin, sheqerin dhe kripën për gjendje emergjente. Atëherë do të duhej të ndërhynte me këto rezerva”, ka thënë Berisha.

Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon ky trend i rritjes, kompanitë do të detyrohen ta ndalojnë krejtësisht operimin ose t’i rrisin çmimet në të gjitha linjat.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy nga shtetet që kanë ofruar masa ndihmëse. Po ashtu, edhe Kroacia.