Arbëri

Arsimtari i akuzuar për përdhosje të simboleve kombëtare thotë se Prokuroria e ka tjetërsuar ngjarjen

Muhamed Hajredinaj,

Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për përdhosje të simboleve kombëtare, është deklaruar edhe një herë i pafajshëm para Gjykatës Themelore, për akuzën se pati hedhur flamurin kombëtar dhe plisin e një nxënëseje në mbeturina.

Avokati i të akuzuarit, Muhamed Muji, në fjalën hyrëse tha se nuk ka pasur për qëllim të përdhosen simbolet kombëtare dhe se Prokuroria nuk ka arritur t’i gjejë këto prova në asnjë rast. 

“I mbrojturi im rrjedh nga një familje kombëtare”, ka thënë ai.

E, vetë Hajredinaj ka mohuar versionin e Prokurorisë të paraqitur në aktakuzë kundër tij. 

"Ngjarja është absolutisht diçka sikur unë po e dëgjoj për herë të parë, që nuk ka ndodhur mes meje dhe atyre, në mënyrës siç është paraqitur nga prokurori në aktakuzë. Është krejtësisht e tjetërsuar", ka theksuar ai. 

Sipas Prokurorisë Speciale, Hajredinaj e ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”. Në seancë kanë qenë të ftuar dëshmitarët Fatos Berisha dhe Margareta Berisha, por të njëjtit nuk janë prezentë në sallën e gjykimit. 

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaska, dëshmitarja Margareta Berisha nuk e ka arsyetuar mungesën e saj, ndërsa dëshmitari Berisha ka njoftuar se është në udhëtim zyrtar, por nuk ka dorëzuar ndonjë dëshmi për këtë udhëtim zyrtar. 

Avokati i të akuzuarit me datë 13.11.2025 ka kërkuar përjashtimin e publikut nga kjo çështje penale. Prokurori special Bekim Kodraliu e kundërshtoi në tërësi këtë kërkesë. 

“Vepra penale e cila është kryer nga i pandehuri është kryer publikisht dhe në prani të nxënësve të mitur. Është edhe një provë e siguruar nga mediat, në të cilat kanë pasë qasje edhe opinioni publik”. 

Avokati i të pandehurit tha se i qëndrojnë prapa kërkesës për përjashtimin e publikut. Kryetari i trupit gjykues Përlaska mori vendim që seanca të mbahet e hapur për publikun. 

Sipas aktakuzës, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshtimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave, si dhe ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila mbante këto simbole kombëtare me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit. Me këto veprime të kryera, publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.