Të hënën ka nisur në Beograd Konferenca e Sigurisë ku do të trajtohen tema rreth kërcënimeve që i kanosen rajonit dhe së ardhmes euroatlantike në Ballkanin Perëndimor. Srgjan Cvijiq, president i Komitetit Ndërkombëtar Këshillëdhënës në BCSP ka thënë se duhet mbrojtur liria aty ku kërcënohet tek ka përmendur Serbinë, Moldavinë e Gjeorgjinë
Konferenca e Sigurisë në Beograd 2025 (BSC) ka nisur punimet në qendrën “Sava Center”, në Beograd të hënën ku gjatë tri ditëve do të zhvillohen debate të rëndësishme rajonale dhe evropiane mbi sigurinë, politikën e jashtme, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Me moton “Shtigjet drejt lirisë”, pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi sfida të shumta që ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e Evropës dhe rajonit të Ballkanit.
Sërgjan Cvijiq, president i Komitetit Ndërkombëtar Këshillëdhënës në BCSP tha se, duhet mbrojtur liria aty ku kërcënohet tek përmendi Serbinë, Moldavinë e Gjeorgjinë. “Rreth botës të rinjtë po udhëheqin lëvizje për paqe e drejtësi. Në Serbi, studentët zgjuan kombin duke treguar fytyrën e vërtetë te këtij vendi, me ndikim edhe më gjerë. Ky forum ka qenë platformë për dialog edhe kur ai konfrontohet me regjime, shantazhe e intimidime. Në të kaluarën edhe kur rrymat ishin kundër nesh, ne i hapëm dyert për dialog, për ata që mbrojnë lirinë në vend se ta minojnë atë. Liria nuk është dhuratë por detyrë”, ka thënë ai në hapje të Forumit. Ai ka përmendur protestën më të madhe dhe më të qëndrueshme në Serbi, të nisur një vit më parë, pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 16 persona. Për më tepër, siç tha Svijiq, “jetojmë në kohë të zymta në të gjithë globin, lufta është bërë një mundësi e tmerrshme.
“Megjithatë, kemi shpresë kokëfortë dhe të pashuar se paqja dhe liria mund të mbizotërojnë dhe do të mbizotërojnë", është shprehur ai.
Bashkimi Evropian deri tash ka reaguar me sinjale të përziera - duke dënuar dhunën, por duke dështuar të ushtrojë presion vendimtar. Skenarët e mundshëm për periudhën në vijim variojnë nga status quo-ja e zgjatur dhe forcimi autoritar, përmes kompromisit të ndërmjetësuar nga BE-ja, deri te përshkallëzimi, shtypja apo edhe zgjedhjet e parakohshme. Sipas Konferencës, çdo skenar mbart implikime të rëndësishme për të ardhmen demokratike të Serbisë, qëndrueshmërinë e shoqërisë së saj dhe besueshmërinë e rrugës së saj të integrimit në BE. Kjo çështje u diskutua edhe në panelin e parë.
“Regjimi ynë nuk ka absolutisht asnjë qëllim për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, sepse nëse bëjnë një hap tjetër drejt integrimit, do të rrëzohen nga pushteti. Pra, ata nuk kanë asnjë interes për t'u bashkuar. Dhe sigurisht, kjo lojë, e cila është në thelb një lojë ku z. Vuçiq përpiqet të mposhtë Titon nga AliExpress, po i vjen fundi, sepse thjesht fizikisht nuk mund të ulesh në katër karrige pa u përplasur në dysheme. Dhe kjo është pikërisht ajo që po shohim tani që po ndodh”, ka thënë Borko Stefanoviq, zëvendëskryetar i Partisë për Drejtësi dhe Liri, njëherësh deputet i Kuvendit.
E Aleksa Simiq, përfaqësues i studentëve ka thënë se Vuçiqi është kapoja i mafias në Serbi.
“Ne nuk e përmendëm kurrë Vuçiqin. As nuk donim të flisnim me të. Por ai është ndoshta, nuk e di, kapo i mafies së krimit të organizuar që kemi në Serbi. Ai ndjeu detyrën të na drejtohej. Ne në fakt nuk donim të flisnim me Vuçiqin. Mendoj se ishte 5 maji, bëmë një hap të madh, besoj, në drejtimin e duhur duke kërkuar zgjedhje parlamentare dhe duke thënë, në rregull, nuk mund ta ndryshojmë sistemin nëse nuk e ndryshojmë këtë qeveri dhe këtë regjim. Kur të shkosh përpara Asamblesë Kombëtare, do të shohësh disa, nuk e di, banditë të mbështetur nga shteti që do të të lejojnë të hysh ose jo, varësisht nëse je mbështetës i Partisë Progresive Serbe apo jo. Në këtë kuptim, është një krizë e madhe. Mund të përshkallëzohet në çdo moment”, ka thënë Simiq.
Kriza politike në Serbi dhe implikimet për sigurinë rajonale, siç u përmend në hapje, janë nder temat kryesore. Po ashtu, do të ketë diskutime për marrëdhëniet transatlantike, përkatësisht rolin e SHBA-së dhe BE-së në arkitekturën e sigurisë globale dhe në veçanti në Ballkan. Rivaliteti SHBA–Kinë dhe ndikimet strategjike të përplasjes mes dy fuqive e pasojat për shtetet e vogla dhe ekonomitë e varura, është po ashtu temë e diskutimeve, sikurse edhe konfliktet hibride dhe ato të armatosura që kërcënojnë Evropën. Në panele do të marrin pjesë deputetë të Parlamentit Evropian dhe parlamenteve kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe ekspertë nga institucionet kërkimore ndërkombëtare.
Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë po ashtu i ka ndarë Çmimin “Lighthouse” 2025 Irena Jovevës, anëtare e Parlamentit Evropian nga Sllovenia. Ajo është një prej zërave më të fuqishëm evropianë për demokracinë, drejtësinë dhe liritë civile. Çmimi “Lighthouse” jepet që nga viti 2023 për individë që tregojnë guxim të jashtëzakonshëm, integritet dhe përkushtim për çështjet publike.
Laureatët e mëparshëm janë: Katarina Petroviq (2024) dhe Aleksandar Obradoviq (2023).