Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka nisur punën për verifikimin e njehsorëve të dyshimtë të rrymës.
Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka thënë për “tre8tre” në KTV se komisioni ka dalë në terren dhe pasi të marrë njehsorët për të cilët ka pasur ankesa nga konsumatorët, do t’i verifikojë dhe më pas do të lëshojë një raport për Sekretarin, Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINTI, por edhe konsumatorëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Njehsorët që dëshmohen, duke iu referuar ankesave, se nuk ka përputhje të orës, ata do të zëvendësohen me të tjerë deri të bëhet verifikimi i tyre”, ka thënë Bushrani.
Ajo ka thënë se janë rreth 70 ankesa për këtë çështje.
Komisioni i krijuar nga MINTI u bë pas denoncimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës se në një hulumtim me 800 njehsorë të rrymës në Prishtinë e Ferizaj, ka rezultuar se rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën. Kjo parti madje i ka dorëzuar në KEDS ankesat e qytetarëve teksa ka paralajmëruar lëndë edhe për Prokurorinë Speciale.
KEDS-i në anën tjetër ka mohuar pretendimet.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim.
KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.