Cigaret elektronike shiten lirshëm në dyqane e markete afër objekteve shkollore. Ekipi i KOHËS ka filmuar shumë nxënës, përfshirë edhe të fillores, që konsumojnë produkte të tilla. Një peticion ka nisur për ta ndaluar shitjen pranë shkollave, por organizatorët thonë se nuk kanë parë vullnet te përgjegjësit për ta bërë këtë
Pak metra larg rrethojave të shkollave në kryeqytet, nxënësit, përfshirë ata të fillores, janë parë duke konsumuar duhan dhe cigare elektronike gjatë javës së shkuar.
E ato i sigurojnë lehtë gjatë qëndrimit në pushim të gjatë apo edhe para ose pas përfundimit të orarit mësimor. Shpesh gjendet në marketet afër shkollave, që janë stacion i parë i nxënësve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVeton Xhelili, i cili e ka fëmijën të regjistruar në një nga shkollat fillore në kryeqytet, thotë se është shqetësuese që këto produkte janë lehtësisht të qasshme për fëmijët.
“Fatkeqësisht edhe në shkollën ku fëmija im graviton ka përdorim shumë të madh të duhanit edhe të cigareve elektronike nga adoleshentët. Kjo ndodh për faktin se qasja në blerjen e duhanit po edhe të cigareve elektronike është shumë e lehtë, kemi kaluar shumë shpesh situata dhe raste kur edhe në dyqanet të cilat janë përreth shkollave shitet dhe fëmijët mund ta blejnë duhanin lirshëm”, ka thënë Xhelili.
Qendra për Avokim dhe Zhvillim ka iniciuar një peticion, përmes të cilit u kërkohet institucioneve që kufizimet për qasje të fëmijëve e nxënësve në këto produkte, të bëhen me ligj.
Para shpërndarjes së Kuvendit, ndodhej në proces plotësim-ndryshimi i Ligjit për kontrollin e duhanit, por tani procesi duhet të nisë nga fillimi.
Shkumbin Spahija është drejtor i qendrës që ka iniciuar peticionin dhe thotë se nga ndryshimet ligjore që ishin në proces, ishte pranuar vetëm rekomandimi për ndalimin e shijeve dhe aromave për cigaret elektronike, por jo edhe kufizimi i shitjes së tyre.
“Nuk ka pasur gatishmëri që të pranohen propozimi për kufizimin e shitjes së produkteve të duhanit pranë shkollave apo të bëhet shitja vetëm pranë dyqaneve të specializuara. Me kufizimin e shitjes nënkuptojmë ndalimin e shitjes së këtyre produkteve afër shkollave por jo vetëm dhe ndalimin e shitjes së këtyre produkteve në qyqane dhe supermarkete ku shiten produktet ushqimore dhe produktet e tjera të zakonshme. Pra të rregullohet ashtu që shitja të bëhet vetëm në dyqane të specializuara për produktet e duhanit dhe nikotinës”, ka thënë Spahija.
Spahija e vlerëson të papranueshëm arsyetimin për refuzim të rekomandimit që shitja të bëhet vetëm në dyqane të specializuara për produktet e duhanit dhe nikotinës dhe jo në dyqane e markete.
“Në mënyrë jozyrtare që kemi dëgjuar, është që dikush në Ministrinë e Shëndetësisë po u frikësuaka prej krijimit të monopoleve të bizneseve në qoftë se pranohen këto sugjerimet për krijimin e dyqaneve të specializuara... Këta nuk kanë pranuar d.m.th. as afër shkollave kufizimin, as rregullimin e shitjes në dyqane të specializuara, kjo praktikë që ndodh në shumë vende të BE. Dhe e kemi nganjëherë edhe një arsyetim tjetër që shumë shpesh ju referohen edhe vendeve të rajonit. Vendet e rajonit nuk janë shembull i mirë”, ka thënë ai.
Pos mungesës së kufizimeve në shitje, prindërit e nxënësve thonë të jetë shqetësim edhe shfaqja e produkteve të reja në treg.
“Një element tjetër që e kemi diskutuar një ditë në njërën prej mbledhjeve të prindërve është edhe një produkt tjetër i ri që është në treg, e ato janë, ajo që quhet në anglisht ‘chewable tobacco’ ose duhani që përtypet, i cili shpesh herë shitet edhe është i paketuar në paketime shumë atraktive thuajse janë bonbona”, ka thënë prindi Xhelili.
Në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë kanë thënë se planifikojnë kontroll hapësirash në dhe përreth shkollave.
“Një gjë që jemi duke bërë konkretisht do të jetë një plan veprimi që do të përfshijë të gjitha shkollat, për menaxhimin e hapësirave të brendshme të shkollave që nënkupton edhe oborret e shkollave dhe përreth tyre, prandaj do të ketë një kontroll strikt”, është shprehur Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit nuk janë përgjigjur në pyetjet lidhur me ndalimin e shitjes së këtyre produkteve pranë shkollave.
Sipas studimeve, një cigare elektronike mund të përmbajë nikotinë sa deri në 9 paketa cigare tradicionale.