Arbëri

Një edukatore po hetohet, pasi videoxhirimet dëshmuan dhunën e ushtruar ndaj një fëmije 1-vjeçar

Si shkollë të dashur nga jashtë e ka prezantuar veten çerdhja private “Mama Kids Academy”, në Lipjan. 

Por Edona Avdyli-Vuniqi e ka gjetur me shenja dhune vajzën njëvjeçare që e çon në këtë institucion.

Ajo thotë se edukatorja Behare Gashi e ka telefonuar për ta marrë vajzën në çerdhe, duke u ankuar se vajza po qante dhe po i zgjonte fëmijët e tjerë nga gjumi. 

Dhe, tek kur ka shkuar në shtëpi, vajzës i janë vërejtur shenjat e dhunës.

“Pasi e kemi marrë vajzën, vëllai im e ka vërejtur që e ka një shenjë te pjesa e faqes si gjak, por mësuesja tha se është me ngjyrë e pastaj i besova, nuk e shikova në fillim fare. Por, pasi u largova e pashë që e ka edhe një mavijosje dhe është me gjak. Kam shkuar menjëherë te mësuesja”, ka thënë nëna e vajzës 1-vjeçare. 

Avdyli-Vuniqi thotë se edukatorja nuk e ka pranuar se ka ushtruar dhunë, por pamjet e kamerave e kanë dëshmuar të kundërtën.

“Insistova t’i shoh kamerat dhe pasi që i pashë kamerat, e kemi parë, një herë e ka gjuajtur me top vajzën, tepër shumë kështu me dhunë dhe pas pak sekondash e ka kapur nga krevati me dhunë për fyti dhe e ka hedhur përtokë. Më shumë s’kam mundur të shoh se jam tmerruar”, ka thënë ajo.

Avdyli-Vuniqi u shpreh se është ende në shok dhe tregoi se, pasi i pa pamjet e kamerave, edhe edukatorja Gashi e pranoi se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj dhe ka kërkuar falje. Ajo dyshon se dhunë është ushtruar edhe në raste të tjera.

“Para tri javësh e ka pasur të njëjtën shenjë në hundë, e ka pasur tepër të mavijosur hundën dhe e kam pyetur mësuesen e të gjithë, kanë thënë: nuk e dimë ndoshta, është rrëzuar. Kanë tentuar të më bindin dhe e lashë, domethënë ajo shenjë e dhunës paska ardhur nga dhuna e mësueses”, ka deklaruar ajo.

KOHA ka kontaktuar edhe me edukatoren Gashi, por ajo ka refuzuar të flasë. 

Njëjtë ka vepruar edhe stafi i çerdhes.

Stafi nuk ka dashur të flasë, me arsyetimin se drejtoresha nuk është në çerdhe. 

E një nga familjarët e viktimës ka thënë për KOHËN se çerdhja e ka larguar edukatoren nga puna. 

Pas këtij rasti nuk ka pasur reagim e as përgjigje nga Ministria e Arsimit e as nga Komuna e Lipjanit. 

Ndërkaq, ndaj edukatores Gashi kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.