Arbëri

Një nënshkrim mban peng strategjinë për menaxhimin e qenve endacakë

Për zbatimin e Strategjisë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollimin e qenve me dhe pa pronar duhet një organ mbikëqyrës. E dokumenti për themelimin e kësaj trupe është në zyrën e ministrit Elbert Krasniqi tash e gjashtë muaj. Organizatat që merren me të drejtat e kafshëve këtë e quajnë neglizhencë

Formimi i trupës mbikëqyrëse ndërinstitucionale që do të duhej të merrej me Strategjinë dhe planin e veprimit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve ka ngelur peng i një nënshkrimi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Dokumenti, sipas burimeve të KOHËS, tash e gjashtë muaj është proceduar në zyrën e ministrit Elbert Krasniqi.

Nga Ministria as pas 10 ditësh pritjeje nuk kanë kthyer përgjigje se pse nuk është firmosur deri më tash dokumenti.

Aktivistja e të drejtave të kafshëve, Elza Ramadani, e përfshirë në proceset e deritanishme lidhur me strategjinë, e quan neglizhencë të Ministrisë.

“Institucionet janë ligjërisht të mandatuara që t’i kryejnë disa obligime sa i përket menaxhimit të qenve endacakë. Ka mundur të shkonte shumë më shpejt, në anën tjetër unë nuk e di saktë, por definitivisht është neglizhencë”, ka thënë Ramadani, e cila është drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Sipas procedurës, për të hyrë në fuqi vendimi duhet që nga MAPL-ja të dorëzohet në Zyrën e Kryeministrit.

Në këtë zyrë nuk kanë dhënë ndonjë informacion për zvarritjen, pos që kanë konfirmuar se nuk e kanë pranuar dokumentin.

“Si Zyrë e Kryeministrit nuk kemi pranuar një dokument të tillë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Kryeministrit.

Për zbatimin e kësaj strategjie, në Planin e Veprimit janë paraparë 8.5 milionë euro për tre vjet, përfshirë afër 5 milionë për këtë vit.

Strategjia kombëtare dhe plani i veprimit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar në Republikën e Kosovës parasheh një sërë hapash për të trajtuar këtë problematikë. Ndër të tjera, parashihet parandalimi i shumimit me anë të metodës kapje, sterilizim, vaksinim dhe lëshim, pastaj rritja e kapaciteteve dhe ndërtimi i strehimoreve të reja, eutanazia për qentë e sëmurë dhe agresivë, përmirësimi i legjislacionit, organizimi i fushatave informuese e të tjera.

Aktivistja Ramadani vlerëson se zbatimi sa më parë i Strategjisë është urgjencë.

“Grupi ndërinstitucional i Strategjisë kombëtare do të shërbejë për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e strategjisë dhe masave të Planit të Veprimit të Strategjisë. Është shumë i rëndësishëm, sepse ajo trupë ose ai organ që vjen nga fusha të ndryshme, të jetë aty që t’i vlerësojë masat, t’i çojë përpara ato”, ka thënë ajo.

Problemi me qentë endacakë është i vjetër në Kosovë. Nuk ka të dhëna se sa janë, e komunat dhe niveli qendror në vazhdimësi ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për situatën në terren. Shpesh janë raportuar edhe sulme të qenve me pasoja të mëdha.