Arbëri

Një pjese të kuvendarëve në Lipjan e Shtime gjatë gjithë vitit nuk iu dëgjua zëri

Një pjesë e kuvendarëve në Lipjan dhe Shtime gjatë gjithë vitit të kaluar kanë dështuar të jenë aktivë në ngritjen e problemeve dhe interesave të qytetarëve. Për performancën e tyre, ku disa nuk kanë folur asnjëherë gjatë 2022-tës, Asociacioni Rinor për të drejtat e njeriut ka dalë me një raport vlerësues

Një pjesë e këshilltarëve në kuvendet komunale të Lipjanit dhe të Shtimes gjatë vitit të kaluar nuk u kanë shërbyer shumë interesave të qytetarëve.

Shumë prej tyre nuk u është dëgjuar asnjëherë zëri gjatë gjithë vitit 2022, thuhet në një raport të Asociacionit Rinor për të drejtat e njeriut “YAHR”, që ka monitoruar punën e asamblistëve në këto dy komuna.

Bekim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në këtë organizatë, ka thënë se synimi i monitorimit të punës së zyrtarëve të zgjedhur është ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme demokratike.

“Gjatë punës sonë monitoruese kemi vërejtur se disa kuvendarë nuk janë aktivë në përfaqësimin e interesave të qytetarëve, edhe pse ka shumë kërkesa nga qytetarët për zgjidhjen e problemeve që ballafaqohen në Lipjan dhe në Shtime, mirëpo këta kuvendarë janë shumë pasivë në adresimin e interesave të qytetarëve. Andaj si përfaqësues që janë zgjedhur nga qytetarët duhet të jenë më aktivë në zgjidhjen, përfaqësimin apo artikulimin e interesave të qytetarëve karshi ekzekutivit për adresimin dhe zgjidhjen e aty problemeve”, ka thënë Krasniqi.

Kryesuesi i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, nuk ka pranuar të flasë për këtë temë, me arsyetimin se nuk ka kohë. Por ka paralajmëruar se do të raportojë për punën e bërë gjatë vitit 2022, në Kuvend.

E, Daut Azemi, kryesues i Kuvendit Komunal në Lipjan, ka thënë se brenda vitit janë shqyrtuar 105 pika të rendit të ditës, janë miratuar 81 vendime dhe dy rregullore.

“Sa u përket atyre që nuk kanë diskutuar kemi disa anëtarë të Kuvendit, ka prej tyre që diskutojnë më pak ose ka prej tyre që janë më aktivë dhe aktivizohen për të diskutuar, por një fakt duhet ta kemi parasysh se në mesin e 31 anëtarëve sa ka Kuvendi, në këtë mandat janë 20 kuvendarë për herë të parë”, ka thënë Azemi.

Asociacioni Rinor për të drejtat e njeriut në raportin e tij ka sqaruar se notimi dhe monitorimi i kuvendarëve gjatë gjithë vitit kishte për qëllim ngritjen e performancës së tyre në raport me qytetarët.