Numri i madh i qenve endacakë që shëtisin lirshëm rrugëve të Prishtinës, është problem i vazhdueshëm për kryeqytetin.
Mirëpo, shqetësim tjetër së fundmi janë qentë me pronarë, të cilët lëshohen për shëtitje pa masa mbrojtëse, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Disa të tillë e kanë sulmuar studentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Valdrin Januzi, të cilit i kanë shkaktuar lëndime.
Ai tregon për sulmin sa ishte në oborrin e Fakultetit Teknik.
Januzi thotë se pronarët e qenve nuk janë interesuar për gjendjen e tij, pavarësisht që i kishin premtuar një gjë të tillë.
Policia bën të ditur se sipas Ligjit për Kundërvajtje, njërit pronar të qenit i është shqiptuar gjobë për këtë rast. Por, për studentin Januzi, ky ndëshkim është i ulët dhe i papranueshëm.
Ai thotë se do të angazhohet që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë në mënyrë që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
Megjithatë, ka një ligj që përcakton përgjegjësinë e pronarit të kafshës.
Neni 163 i Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve thotë se zotëruesi i kafshës së rrezikshme, është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga ajo.
Por, aty nuk përcaktohet çfarë dënimi mund të marrë pronari i kafshës që shkakton dëm.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos i nxjerrin qentë për shëtitje pa masa mbrojtëse.