Arbëri

Numri i grave të punësuara në Podujevë shumë më i ulët se i burrave

Numri i grave që punojnë brenda territorit të Komunës së Podujevës është shumë më i vogël sesa i burrave. Në një analizë të Organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” me titull “Pjesëmarrja e grave në politikë”, thuhet se numri i burrave që kanë deklaruar si të punësuar është 9,563, kurse i grave 1,627 ose 17.1 për qind.

“Nga të dhënat në webfaqen e Komunës, nga 13 pozita vendimmarrëse/ekzekutive (pozita politike), 4 janë gra (Nënkryetarja dhe tri drejtoresha, përkatësisht e Administratës, Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë, e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratit. Në garën për Kuvendin Komunal, kandidatë kanë qenë edhe dy persona me aftësi të kufizuara (1 grua dhe 1 burrë), megjithatë asnjëri nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme”, thuhet në analizën e SDK-së. “Në Kuvendin Komunal, nga 35 këshilltarë komunalë, 12 janë gra, apo 34.28 për qind. Nëse i kalkulojmë brenda kuotës 30 %; 12 gra na del se 41.66 %, kanë marrë mandatin në garë të barabartë me burrat. Nëse i llogarisim edhe dy gra bartëse liste, del se 58.33 %, kanë marrë vetë mandate dhe vetëm 41.66% kanë marrë mandate përllogaritur me kuotën 30%”.

Dokumenti thekson se nga 1,624 gra të punësuara, 1,077 janë të përfshira në sektorët (arsim, shëndetësi, administratë, shërbime sociale dhe personale, ndërkaq 265 janë në tregti.

“Ndarja e popullsisë sipas burimit kryesor të jetesës, gjinisë dhe komunës 2011, tregon se përderisa te burrat puna (përfshirë punën në pronën, biznesin e tij apo të familjes) është 12,436, te gratë del se është 3,707, apo 29.80%. Pra, përderisa tek kategoritë e përkrahjes institucionale është thuajse e barabartë, ndikimi ekonomik i pronës dhe bizneset familjare kryesisht u përket burrave. Edhe pse kategori e vogël, numri thuajse i barabartë është deklaruar tek patundshmëritë, investimet (qira, interes). Ndërkaq, mbështetja nga personat tjerë është 57% tek gratë, ndërkaq 43% te burrat”, thuhet tutje në këtë analizë.

Organizata “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” vlerëson se përkundër se ekziston një bazë solide e legjislacionit për barazi gjinore, mungesa e mekanizmave për zbatim, trajtimi i pjesshëm dhe qasja e fragmentuar, nuk po arrijnë të prodhojnë rezultate të qëndrueshme.

“Në mënyrë që të krijohen mundësi të kohezionit shoqëror nga poshtë-lartë, të bëhen përpjekje pro aktive në forcimin e mekanizmit të pjesëmarrjes në politikbërje dhe vendimmarrje duke: Rritur planifikimin e integruar i politikave dhe financimit; Forcimi i mekanizmit të pjesëmarrjes në politikbërje dhe vendimmarrje; Forcimin e mekanizmave lokal, për barazi gjinore;

Rritja e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe besimit të publikut për hartimin e akteve në Komunë”, thuhet në dokument.