Arbëri

Numri i së dielës në KOHA Ditore i kushtohet shkuarjes së kosovarëve në bregdet

Pavarësisht se një pjesë e kosovarëve kanë anuluar pushimet verore për shkak të virusit COVID-19, shumë qytetarë të tjerë kanë zgjedhur të injorojnë rrezikun e pandemisë vdekjeprurëse dhe të shkojnë në bregdet.

Pikërisht kësaj çështjeje i kushtohet edicioni i së dielës në Koha Ditore. Te shkrimi kryesor “Me virus n’pushim”, mund të lexoni edhe se si mbyllja e kufijve dhe karantinimi dëmtuan turizmin e paktë që ka Kosova.

Kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, flet në intervistë rreth mënyrës se si duhet të rimëkëmbet ky sektor i rëndësishëm.

Kurse, hallet e bizneseve familjare të Rugovës që rrezikojnë të shuhen shkaku i pandemisë, vijnë në rubrikën e reportazhit.

Faqet e botës sjellin detaje për bandat famëkeqe, të cilat po e shfrytëzojnë pandeminë për t’i joshur të rinjtë.

Se kush është një nga turistët e paktë të huaj që ka zgjedhur të vizitojë Kosovën në kohë pandemie, e kuptoni në hapësirën e ndarë për kulturën.

Monumenti këtë javë vjen me një të ri pejan, i cili po vazhdon rrugën shumëvjeçare të familjarëve të tij në zanatin e filigranistit.

Ndërsa, adhuruesit e sportit mund të lexojnë profilin e futbollistit Ilir Blakçori, që la Llapin për ta fituar titullin me Dritën.

Përveç këtyre, artikuj të tjerë të veçantë nga libri, filmi, muzika dhe enigmatika, si zakonisht i gjeni në mbi 60 faqet e Kohës Ditore.