Arbëri

Obiliqi bëri keqklasifikim të shpenzimeve, thuhet në raportin e ZKA-së

Komuna e Obiliqit

Komunarët e Obiliqit nuk i kanë klasifikuar si duhet pasqyrat vjetore financiare për vitin 2021. Përmirësimet i kanë bërë vetëm pasi ua ka tërhequr vërejtjen Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Në raportin vjetor të Auditorit theksohet se te pasqyra e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme, pagesat nga financimet e huamarrjes në vlerë 20 mijë e 389 euro, Komuna e Obiliqit i kishte prezantuar te fondi zhvillimor në mirëbesim; ose te shpalosja e ndarjeve fillestare dhe finale të buxhetit, te kolona të hyrat vetanake, janë shpalosur gabimisht të hyrat e realizuara gjatë vitit në vlerë 1 milionë e 31 mijë e 655 euro.

“Te shpalosja e të hyrave të dedikuara, gabimisht janë prezantuar të hyrat nga fondet e donatorëve të pashpenzuara në vlerë 2358 euro. Pas identifikimit të gabimeve dhe këshillave nga auditimi, përveç çështjeve të keqklasifikimit, Komuna kishte ndërmarrë veprime dhe kishte

bërë korrigjimet e nevojshme. Kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme në analizimin dhe prezantimin e të dhënave në raportin financiar”, thuhet në raport.

Bazuar në këtë dokument, Komuna e Obiliqit kishte bërë edhe klasifikim të shpenzimeve në kategoritë ekonomike jopërkatëse.

“Bashkëfinancimi i projektit për përkrahjen e familjeve me ferma të vogla në rritjen, zhvillimin dhe prodhimtarinë e tyre bujqësore e blegtorale (sera) në vlerë 50,000 euro, është paguar nga buxheti i investimeve kapitale, ndonëse natyra e shpenzimit ka të bëjë me subvencione dhe transfere. Nga buxheti i investimeve kapitale janë paguar 10 mijë euro për furnizim me inventar për QKMF-në, që për nga natyra dhe vlera këto furnizime i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, përmes vendimeve gjyqësore, në emër të pagave jubilare janë paguar 23,669 euro nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve, që për nga natyra i takojnë kategorisë për paga e mëditje”, thekson raporti.

Sipas të njëjtit, kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në planifikimin dhe regjistrimin e shpenzimeve në kategorinë përkatëse ekonomike.

Auditori kishte evidentuar edhe mangësi në menaxhimin e pasurisë jofinanciare. Siç thekson ZKA-ja në sistemin e-pasuria nuk janë llogaritur në tërësi zhvlerësimi i e-pasurisë jokapitale.

“Për tre vjetët e fundit (2019-2020-2021) nuk është aplikuar zhvlerësimi vjetor i pasurisë. Sipas regjistrit të pasurisë të prezantuar në aneks të pasqyrës financiare vjetore, kosto fillestare është 529,559 euro ndërsa vlera neto 507,412 euro. Gjithashtu, është konstatuar se në regjistrin e pasurisë jokapitale janë përfshirë edhe pajisje në vlerë 21,362 euro që i takojnë pasurisë kapitale. Ndërsa, në dy (2) raste, vlera e faturës për pajisjet (spirometer dhe optotip) nuk përshtatej me vlerën e prezantuar në regjistrin e pasurisë, ku dallimet në vlerë janë 32,474 euro. Komuna nuk ka bërë as inventarizimin e pasurisë për vitin 2021”.
Kjo, sipas Auditorit, ka ndodhur për shkak të kontrolleve të mangëta në regjistrimin dhe menaxhimin e pasurisë jofinanciare, si dhe me vështirësitë në aplikimin e programit e-pasuria.