Komunarët e Obiliqit po synojnë që ta parandalojnë “prishjen” e vullnetit qytetar që del nga zgjedhjet. Kjo “ndalesë” është paraparë në Kodin etik për zyrtarët e komunës, të cilin kuvndarët e kësaj komune e kanë vënë në diskutim publik në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal. Në nenin 5 të këtij dokumenti, që flet për respektimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve, thuhet se zyrtari politik duhet të kryejë detyrat në përputhje me mandatin e dhënë nga elektorati dhe të mbrojë interesin e përgjithshëm.
“Zyrtari politik duhet të respektojë vullnetin e votuesve deri në fund të mandatit duke zbatuar programin politik, si dhe të shmangë ndërrimin e partisë gjatë ushtrimit të mandatit”, thekson dokumenti.
Ky Kod parasheh të rregullojë edhe shumë fusha tjera për zyrtarët publikë. Në nenin 6, flet për paanshmërinë dhe pavarësinë, ku thuhet se zyrtari i komunës gjatë ushtrimit të detyrës duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm dhe po ashtu të distancohet nga çdo veprim arbitrar që cenon interesin publik si dhe nga çdo trajtim preferencial mbi çfarëdo baze.
Obiliqi synon t’u ndalojë veshjet e papërshtatshme zyrtarëve komunalë
Neni 7 e rregullon çështjen e veshjes dhe paraqitjen e zyrtarit të komunës. Veshja e papërshtatshme, sipas këtij Kodi konsiderohet sidomos veshja transparente.
“Për meshkujt: pantollonat e shkurtër ose pantollonat e gjera që shtrihen mbi kyçin e këmbës kur qëndrojmë në këmbë, bluza/këmisha pa jakë, pa mëngë dhe me ngjyra të pazakonta; Për femra: bluza/këmisha shumë e hapur përreth qafës, që ekspozon në masë të madhe lëkurën dhe që është pa mëngë, funde ose pantollona të shkurta që shtrihen mbi gjunjë kur qëndrojnë në këmbë; veshja sportive, mbishkrimi i përmasave të mëdha në veshje, simboli që mund të jetë ofendues në çdo bazë, si dhe mbajtja e kapelës në ambientet e punës”.
Sipas këtij dokumenti, zyrtarit të komunës nuk i lejohet të ketë tatuazhe në pjesë të dukshme të trupit dhe të ketë pjesë të shpuar të trupit përveç veshëve.
Kodi thekson se gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive, të gjithë të punësuarit në komunë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe aktet tjera nënligjore.
“Zyrtari i komunës duhet të shmnagë çdo lloj diskriminimi të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë në bazë të përkatësisë etnike, racës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal”, thuhet në nenin 11.
Ndërsa, në nenin pasues thuhet se zyrtari i komunës duhet të promovojë çdo masë që nxit transparencën në lidhje me kompetencat, detyrat dhe funskionimin e shërbimeve dhe njësive nën përgjegjësinë e tyre.
“Zyrtarit të komunës i ndalohet çdo sjellje, veprim që përbën shqetësim moral e seksual i cili ka për qëllim cenimin e dinjitetit personal dhe i cili krijon mjedis kërcënues, armiqësor, poshtrues, përçmues dhe fyes”, thuhet në nenin 25-Ngacmimi moral dhe seksual.
Kodi flet edhe për çështjen e efikasistetit dhe efektivitetit të zyrtarëve komunalë, konfliktin e intersit, nepotizmin, detyrimet e zyrtarit të komunës, vendimmarrjen, parandalimin e korrupsionit dhe sjelljeve joetike, parandalimen e marrjes së dhuratave dhe favoreve, mbikëqyrjen financiare, shfrytëzimin e burimeve komunale, punësimin dhe aktivitetet e jashtme, etj.
Në Kodin etik për zyrtarët e komunës janë paraparë edhe masat disiplinore ndaj atyre që i shkelin këto dispozita ligjore.
“Zyrtari publik që shkel dispozitat e përcaktuara në këtë Kod dhe veprimet e tij/saj nuk përbëjnë vepër penale, ndëshkohen me masat disiplinore në përputhje me legjislacionin në fuqi; Çdo zyrtar i komunës që është në dijeni, dyshon për një shkelje të dispozitave të këtij Kodi, duhet të raportojë shkeljen te mbikëqyrësi i drejtëpërdrejtë, komisioni disiplinor ose njësia për menaxhimin e burimeve njerëzore; Procedura disiplinore për zyrtarët publikë zhvillohet sipas Ligjit për zyrtarët publikë dhe akteve nënligjore”, thuhet në nenin 32-Masat disiplinore.
Në nenin pasues thuhet se masat për shkelje të Kodit të Etikës janë: Vërejtje publike- e cila shqiptohet në mbledhje të Kuvendit dhe publikohet në uebfaqen zyrtare të komunës;
Dënimi me ndalje deri në 15 përqind të pagës për tre muaj.
Vënia në diskutim publik e këtij Kodi është përkrahur nga të gjitha subjektete politike që kanë qenë të pranishme në seancë.