Arbëri

Obiliqi synon rritjen e transparencës me plan veprimi

Komunarët e Obiliqit po synojnë të rrisin transparencën komunale me dokument. Ata e kanë vënë në diskutim publik planin e veprimit për transparencë komunale 2023-2027. Ky dokument ka për qëllim t’i ofrojnë publikut qasje të lehtë në mbikëqyrjen dhe zbatimin e politikave nga organet e komunës, duke përfshirë informim të shpejtë, të dhëna të qasshme, publikimin e të gjitha akteve normative dhe dokumenteve me interes publik, si dhe rritje të mundësive të pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Siç theksohet në këtë plan, në mënyrë specifike ai do të kontribuojë që Komuna të identifikojë me kohë prioritetet për të cilat kërkohet informimi, si dhe përfshirja e qytetarëve apo grupeve të interesit në proces të hartimit të politikave dhe akteve të përgjithshme dhe të identifikojë metodat, mjetet dhe teknikat për konsultimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në procese.

“T’i evitojë praktikat e zhvillimit të dokumenteve dhe politikave pa respektim të procedurave ligjore lidhur me informimin dhe konsultimin e qytetarëve si dhe të evitojë praktikat e zhvillimit të dokumenteve dhe politikave me kosto të papërballueshme; Krijimin e një mjedisi të brendshëm transparent dhe llogaridhënës, duke inkurajuar bashkëpërgjegjësi të të gjithë stafit në procesin e zhvillimit, zbatimit dhe mbikëqyrjen e politikave”, thuhet në këtë plan.

Tutje ky plan parasheh të kontribuojë edhe në mbajtjen e një sistemi dhe përditësim i vazhdueshëm me të dhënat e të gjitha palëve të interesit për të siguruar pjesëmarrjen e qytetarëve nëpajtueshmëri me kërkesat dhe standardet ligjore; Ndikimin në sjelljet e punonjësve komunalë në mënyrë që veprimet e ndërmarra të demonstrojnë ligjshmëri dhe integritet.

“Zbatimi i planit të veprimit për transparencë do të monitorohet në vazhdimësi me mekanizma përkatës dhe do të rishikohet periodikisht në përputhje me aktivitetet e komunës. Plani do të përmbledh në mënyrë të qartë transparencën e organeve komunale, publikimin e akteve nënligjore, rregulloret komunale, dokumentet strategjike, vendimet e kryetarit, njoftimet për aktivitetet e komunës (ekzekutivit dhe kuvendit të komunës), takimet publike, planifikimin dhe shpenzimet buxhetore të komunës, prokurimin publik, zbatimin e standardeve të konsultimit publik, qasjen në dokumentet publike etj”, thuhet në këtë dokument.