Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ambasadës së SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
Sipas Odës, pezullimi i kësaj nisme strategjike përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit, dhe është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen e saj dhe të angazhohet në koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Oda Ekonomike Amerikane mbetet e përkushtuar për avancimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe jopolitikë të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun”, thuhet në deklaratën e Odës.
Sipas organizatës, vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv me aleatët më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitet, të debllokojë mundësitë ekonomike dhe të sigurojë mirëqenie afatgjatë për qytetarët.
