Arbëri

OKB: Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbeten të larta

Tensionet e pazgjidhura politike me Serbinë dhe situata e brishtë në veri të vendit vazhdojnë të ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga iniciativat e BE-së, thuhet në një raport të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Megjithëkëtë, dokumenti i cili e ofron një pasqyrë të gjerë të arritjeve dhe sfidave kryesore me të cilat përballet shteti, konstaton se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në dekadën e fundit drejt zhvillimit demokratik dhe ekonomik

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, përkundër përpjekjeve disavjeçare të lehtësuara nga Bashkimi Evropian (BE) për t’i normalizuar raportet ndërmjet këtyre dy vendeve, konstatohet në një raport përmbledhës të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Tek përshkruhet situata në terren, dokumenti thekson se mungesa e përparimit në dialog ka çuar në krizë në veriun e populluar kryesisht me serbë.

“Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të konfliktit në vitin 1999, ka pak përparim në drejtim të pajtimit mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe midis komuniteteve brenda Kosovës. Situata në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qasja e krizës që e karakterizon veriun e Kosovës i pengon investimet e huaja, zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal”, shkruan në dokument.

Në të përmenden edhe çështjet që kanë ndikuar në bllokimin e procesit dhe ngritjen e polarizimit mes palëve.

“Bllokadat politike rreth themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, njohja reciproke ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe mospërfshirja e nënshkrimeve të palëve në Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023, kanë shërbyer më shumë për t’i polarizuar sesa për t’i normalizuar marrëdhëniet. BE-ja e mban përgjegjëse Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve në veri dhe vendosi masa në qershor të 2023-tës, përfshirë pezullimin e ndihmës për zhvillim e Kosovës. Këto masa nga donatori më i madh i Kosovës kanë pasur efekt ngadalësues në përpjekjet e saj për t’i arritur qëllimet e Agjendës 2030”, shkruan aty.

Edhe pse Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin demokratik, sidomos me zgjedhje të lira dhe tranzicione politike paqësore, sipas raportit, ajo është përballur me cenueshmëri sociale, ekonomike dhe mjedisore.

“Përparimi drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-ve) ka qenë i ngadalshëm dhe i pabarabartë. Sfidat e vazhdueshme e përfshijnë reduktimin e varfërisë, përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, arritjen e barazisë gjinore, adresimin e krizës së trefishtë Planetare, ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen, punësimin produktiv dhe punën e denjë, si dhe paqen, drejtësinë dhe institucionet e qëndrueshme”, shkruan aty.  

Dokumenti përmend se këto sfida rëndohen nga mungesa e të dhënave për shumë indikatorë të SDG-ve, gjë që i ka penguar vlerësimet sasiore. Raporti analizon edhe trendët e popullsisë pas regjistrimit të vitit të kaluar.

“Regjistrimi i popullsisë dhe banesave i vitit 2024 tregoi një rënie të popullsisë prej 8.8 % krahasuar me vitin 2011, nga 1.739,825 në 1.602,515 banorë, kryesisht për shkak të emigrimit, veçanërisht të të rinjve. Mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 30 vjeç në vitin 2011, në 35 vjeç në vitin 2024, me pjesën e popullsisë mbi 65 vjeç, që është rritur nga 6.7% në 10.9%, duke treguar një trend plakjeje që kërkon forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbrojtjes sociale për ta fuqizuar kapitalin njerëzor”, thotë raporti.

Por, pavarësisht këtyre trendëve demokratikë, Kosova mbetet një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë.

“Pjesëmarrja në fuqinë punëtore është e ulët, me vetëm 40.7% të popullsisë në moshë pune aktive. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është më e ulëta në Evropë, me 24.2% kundrejt 57.8% për burrat, ndërsa papunësia tek të rinjtë është e lartë, 17.3%, me 14.4% për meshkujt dhe 22.8% për gratë”, thotë raporti.

Sipas Kombeve të Bashkuara, shumë vende pune, sidomos në ekonominë joformale, nuk ofrojnë mbrojtje adekuate sociale, duke i lënë punëtorët të ekspozuar ndaj kushteve të këqija të punës, pagave të ulëta dhe pasigurisë në punë.

“Varfëria në Kosovë është ulur, megjithatë ritmi i uljes është ngadalësuar në vitet e fundit, dhe të dhënat për varfërinë janë të kufizuara. Rritja e pagave nuk e ka përmirësuar në vetvete mirëqenien e familjeve nën pragun e varfërisë”, shkruan aty.

Dokumenti i bën një analizë edhe sektorit energjetik të Kosovës, i cili mbështetet në linjit, “që shkakton degradim mjedisor dhe ndotje të rëndë të ajrit, veçanërisht në zonat urbane”.

“Edhe pse Kosova e ka nisur kalimin drejt energjisë së rinovueshme, sidomos përmes liberalizimit të tregut të energjisë, janë të nevojshme investime për ta siguruar një kalim të qëndrueshëm. Për më tepër, ndikimet e ndryshimeve klimatike përfshirë rritjen e temperaturave, përmbytjet dhe thatësirat e kërcënojnë stabilitetin socio-ekonomik të Kosovës, sidomos në zonat rurale që varen nga bujqësia”, konstaton raporti.

Qëndrueshmëri në qeverisje, mungesë zbatimi efektiv të reformave

Tek flet për situatën politike në vend, në dokument thuhet se qëndrueshmëria në qeverisje u përmirësua me Vetëvendosjen që e mbajti mandatin e plotë (2022-2025).

“Megjithatë, kapaciteti i pamjaftueshëm administrativ e pengoi zbatimin efektiv të një agjende ambicioze reformash. Ndërsa Kosova i përforcoi masat kundër korrupsionit dhe e përmirësoi transparencën, korrupsioni mbetet një pengesë për reduktimin e pabarazive, rritjen e efektivitetit dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit për të gjitha komunitetet dhe garantimi i llogaridhënies në qeverisje janë të nevojshme për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Kosovës. Kuadri ekzistues për të drejtat e njeriut ende duhet të zbatohet plotësisht, në veçanti Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thotë raporti.

Në dokument përmendet, po ashtu, se pozita strategjike e Kosovës dhe afërsia me tregjet e BE-së ofrojnë mundësi për rritje. Për ta shfrytëzuar plotësisht këtë avantazh, Kosovës i është rekomanduar ta zhvillojë një ekonomi konkurruese të bazuar në inovacion, sidomos në sektorët e gjelbër, duke siguruar që përparimi të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës.

“Bujqësia ka potencial për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik dhe social, por informaliteti, sfidat infrastrukturore dhe pabarazitë gjinore e kufizojnë produktivitetin në sektorë të ndryshëm. Për më tepër, transformimi digjital do ta nxisë rritjen ekonomike dhe do ta përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike. Megjithatë, sfida si ndarja digjitale, mungesa e aftësive dhe rregulloret e vjetruara dhe të pamjaftueshme për përdorimin e mjeteve digjitale dhe ndarjen e të dhënave ndërmjet sistemeve duhet të adresohen. Ndërsa Kosova përparon drejt zhvillimit të qëndrueshëm, kapërcimi i këtyre boshllëqeve do të ndihmojë në arritjen e rritjes afatgjate dhe gjithëpërfshirëse”, shkruan në dokument.

Në përgjithësi, Ekipi i Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin e saj gjatë dekadës së fundit, duke e arritur statusin e vendit me të ardhura të mesme të larta në vitin 2018 dhe duke treguar përmirësime në treguesit socialë, ekonomikë dhe të qeverisjes.

“Ndërmjet viteve 2010 dhe 2019, Kosova përjetoi një rritje mesatare vjetore të PBB-së prej 4.6%, duke sjellë një rritje të qëndrueshme të standardit të jetesës dhe duke e reduktuar varfërinë me 35%. Ekonomia, e udhëhequr nga sektori i shërbimeve, industria dhe bujqësia, u mbështet nga remitencat dhe investimet direkte të diasporës, duke e mbështetur konsumin e brendshëm dhe duke ndihmuar në zbutjen e varfërisë. Edhe pse një nga ekonomitë më të vogla dhe më pak të zhvilluara të Evropës, Kosova tregoi rezistencë. Sektori privat u zgjerua përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat në një masë të moderuar kontribuuan në krijimin e vendeve të punës dhe gjallërinë ekonomike”, thotë dokumenti.

Analiza e Përgjithshme e Kosovës (CCA) është vlerësimi për gjendjen dhe zhvillimin e orientuar drejt së ardhmes, i pavarur dhe i bazuar në prova, që realizohet nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT). Ai shërben si një vlerësim i integruar i zhvillimit të Kosovës, duke iu referuar objektivave të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Kjo analizë shërben për hartimin e Planit të ardhshëm Strategjik të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026-2030.