Ramiz Lladrovci, i cili mori mbështetje të madhe në rrjetet sociale dhe i fitoi zgjedhjet pa balotazh në Drenas, është përmendur si shembull nga eksperti i marketingut digjital, Valon Canhasi, për mënyrën origjinale të komunikimit me publikun gjatë fushatës.
Sipas Canhasit, Lladrovci ka arritur ta krijojë një afërsi të rrallë me qytetarët, duke ruajtur besueshmërinë edhe në momente kur në kushte normale publikimet ose incizimet komprometuese do të ishin fatale për një politikan.
“Çdo zgjedhje që kemi, gjithmonë ekziston koncepti i viktimës i dikujt në fushatë dhe dikujt që është i hekurt. Zakonisht populli renditet te viktima. Mënyra shumë origjinale e komunikimit e Lladrovcit ka bërë që njerëzit edhe me qenë të afërt, edhe më të besueshëm. Zakonisht, si te ne, si në Perëndim, kur del ndonjë incizim për ndonjë aferë është fatal për ty. Por jo në këtë rast. E pamë që nuk pati ndikim”, ka deklaruar Canhasi në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se edhe pse shpesh mendohet se mediat dhe rrjetet sociale kanë ndikim të madh në opinionin publik, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve i formëson bindjet e tyre përmes komenteve dhe diskutimeve në internet, gjë që sipas tij shpesh krijon perceptime të shtrembëruara.
Canhasi vlerësoi se ndikimi i shoqërisë civile ka rënë ndjeshëm në 18 muajt e fundit, për shkak se disa nga udhëheqësit e saj “u përfshinë në politikë dhe e humbën besimin e qytetarëve”.
Eksperti theksoi gjithashtu se mbështetja online nuk përkthehet gjithmonë në vota reale.
“E kemi rastin kur Behgjet Pacolli ka qenë në garë, i ka pas mbi 500 mijë ndjekës, ndërsa në vota i ka pas 46 mijë. Faqja e kryeministrit aktual i ka pas 100 mijë pëlqime, e në vota ka qenë mbi 200 mijë. Shumë shpesh nuk e kuptojnë qëllimin pse duhet me qenë online dhe çka me diskutu”, ka shtuar ai.
Canhasi ka përmendur si shembull pozitiv dy kandidatet e Partisë Socialdemokrate, Besa Shahini dhe Natyra Kuçi, të cilat sipas tij kanë përdorur me sukses platformat online për të ngritur problematikat e komuniteteve të tyre dhe për t’i përkthyer ato në mbështetje elektorale.
“E kemi këtë gjeneratën e re, këtë mendësinë e re politike. I amplifikuan problematikat dhe iu përkthyen në vota, gjë që duhet konsideruar sukses, sidomos për periudhën e shkurtër të përgatitjes”, ka përfunduar Canhasi.
Rrmoku: Sot nëpër botë fituesin e zgjedhjeve s’e zgjedhin vetëm votuesit, por edhe algoritmet
Profesori i shkencave kompjuterike Korab Rrmoku ka thënë se në ditët e sotme nëpër botë, përfshirë edhe në Kosovë, fituesi i zgjedhjeve nuk vendoset vetëm nga votuesit por edhe nga algoritmet.
Rrmoku në “Konfront” të KTV-së ka thënë se politikanët në Kosovë kanë shfrytëzuar në masë të madhe rrjetet sociale për të targetuar audiencë të caktuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Po nisi me pohim, me të cilën shumica e shkencëtarëve që merren me analizën në rrjete sociale pajtohen. Sot, në shumicën e vendeve në botë, përfshirë edhe ne, fituesin e zgjedhjeve nuk e zgjedhin vetëm votuesit, por edhe algoritmet”, ka thënë Rrmoku. “Rrjetet sociale janë shfrytëzuar në masë të madhe nga kandidatët, partitë politike...Është bërë orientim kë të përzgjedhin si target audiencë. Në këtë pikë konsideroj se nuk është përfshirje e vogël e politikës në komunikim në rrjete sociale. Sa kanë ndikuar te njerëzit, sa janë përfshirë, këtu ndikon domosdoshmëri pjesa e algoritmit”.
Ai ka thënë se postimet e politikanë apo partive politike, veçanërisht ato që janë të sponsorizuara, kanë opsion të vendosin target, përfshirë rajonin, audiencën specifike, moshën.
Xërxa: Zhgënjimi nga zgjedhjet parlamentare ndikoi në rënie të numrit të votuesve
Duke iu referuar shifrës prej vetëm 39% të daljes së qytetarëve në zgjedhjet lokale, sociologu Genc Xërxa, fajin ia lë siç tha – zhgënjimit nga zgjedhjet parlamentare të cilat tash e sa muaj akoma nuk sollën formimin e plotë të institucioneve.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Xërxa tha se rënia e interesimit vije pikërisht nga zhgënjimi.
“Kemi një rënie të interesimit tek votuesit, mendoj se fitohet përshtypja në shoqëri se ka një zhgënjim brenda qytetarisë duke marrë edhe për bazë se insitucionet themelore nuk janë ofrmuar që 10 muaj, prej kur kemi dalë nga zgjedhjet parlamentare. Shumë njerëz kanë pasur pritshmëri të ndryshme, shumë projekte apo edhe synime të ndryshme që kanë mbetur pezull për shkak të mos-kompletimit të institucioneve. Në njëfarë forme ai vullnet qytetar i cili është dashur të kanalizohet e të shpërfaqet në formë të veprimeve të ndryshme ka mbetur pezull ashtu që edhe kjo rënie e lehtë e dalje së votuesve në zgjedhje e tregojnë atë lloj zhgënjimi brenda qytetarëve”, ka deklaruar Xërxa.
Ondozi: 40-përqindëshi tregon mosbesimin në fuqinë e votës
Qerim Ondozi, anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara, ka thënë se në Kosovë përafërsisht është numër i njëjtë i qytetarëve që dalin të votojnë në zgjedhje.
Sipas tij, dalja e ulët në votim tregon mosbesimin në institucione dhe në fuqinë e votës.
“Në Kosovë në përgjithësi, numri i atyre që kanë dalë në vota e ka mbajtë një konsistencë, që tregon pandryshueshmërinë e ofertës ose për një zell të atyre që dalin gjithmonë dhe atyre që historikisht nuk dalin të mos i mbushet mendja të dalin. Jemi duke e parë një numër konstant të votuesve, ku bëjnë pjesë një pjesë e madhe e atyre që partitë arrijnë t’i mobilizojnë dhe një numër i vogël që vendosin të dalin”, ka thënë ai në “Konfront”.
Ondozi ka shtuar se qytetarët nuk besojnë në fuqinë e votës për shkak të përshtypjes se edhe pas votës “nuk do të ndryshojë asgjë”.
“Ky 40 për qindësh tregon për një mosbesim në institucione ose në fuqinë e votës për të zgjedhur përfaqësues. Nuk besohet në fuqinë e votës sepse rëndom përgjigja është ‘votova s’votova nuk do ndryshoj asgjë’ dhe kjo është diçka që na përcjell gjithmonë”.