Arbëri

Opozita fajëson pushtetin për votimin në veri

Mitrovica veriore - komuna - dp

Përfaqësues të opozitës drejtuan kritika ndaj Qeverisë lidhur me shpalljen e datës së votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në AAK thanë se me këtë veprim, KQZ-ja ka rënë viktimë e intrigave të ekzekutivit. E në PDK e përsëritën qëndrimin se vendimi është antikushtetues

Zyrtarë opozitarë e kanë fajësuar të shtunën Qeverinë për votimin që do të mbahet më 21 prill, për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave të veriut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pa ndonjë referencë në ligj a akte nënligjore, caktoi vetë datën e votimit, pasi konstatoi se kanë rezultuar të sukseshme peticionet e qytetarëve për inicimin e shkarkimit të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe atij të Leposaviqit.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka vlerësuar se me shpalljen e datës, KQZ-ja ka rënë viktimë e intrigave të Qeverisë.

E Qeverinë e akuzoi se krahas që nuk e arriti ndonjë rezultat me zgjedhjen e këtyre kryetarëve në prillin e vitit të shkuar, dështoi edhe që ta shtrijë e ta mbrojë sovranitetin në veri.

“Ka vendosur disa flamuj, herë më poshtë e herë më lart, flamuj të shtetit të Kosovës që është flamur i respektuar e që do të shohim se sa do t’i mbajë këta flamuj zotëri Kurti në këtë proces. Ky eksperimentim nuk është që e ka shtyrë përpara as sovranitetin e as që e ka ndihmuar Kosovën në rrugëtimin tonë. Thjesht është bërë për aspekt elektoral, puro politik dhe në asnjë moment institucional. Po të ishte institucional do të rrinte në vendimin që mandati i kryetarëve është katërvjeçar, por iu desh që ta kthejë e të gjejë njëfarë rruge, është një fjalë popullore ‘me ia lanë këmbët e arushës’ KQZ-së dhe me ecë”, ka thënë Tahiri.

Anëtari i AAK-së në KQZ ka votuar një ditë më parë pro caktimit të datës për votim.

Por, kundër dolën dy anëtarët e deleguar nga subjekti kryesor në opozitë, Partia Demokratike (PDK).

Edhe të shtunën, zyrtarë të kësaj partie kontestuan vendimin.

Përparim Gruda, koordinator për drejtësi në PDK, e përsëriti qëndrimin se vendimi është antikushtetues.

“Nuk mundet që një votim në formë të referendumit të bëhet pa një shpallje nga presidentja. Nuk mund të bëhet përmes një udhëzimi administrativ, sepse është jokushtetuese, prandaj përfaqësuesit tanë nuk e kanë mbështetur atë. Nuk mund të ketë një proces jokushtetues të largimit të kryetarëve. PDK-ja nuk bëhet pjesë e atij procesi. Përfaqësuesit tanë nuk e kanë votuar atë dhe ky është qëndrimi ynë pranë të cilit mbesim”, ka thënë Gruda.

KQZ-ja vendosi të premten në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok të votohet më 21 prill për shkarkimin apo jo të kryetarëve të komunave.

Për shkarkimin e tyre duhet të votojnë së paku 50 për qind plus një votues me të drejtë vote. E pas shkarkimit, presidentja duhet që brenda 45 ditësh të shpallë zgjedhjet e parakohshme.