Qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje në të synojnë partitë deri tash në opozitë, por pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen këtë vit. Pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re me mandatar Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, nga PDK-ja e LDK-ja kanë thënë nuk do të propozojnë mandatar, pasi nuk i kanë votat
Partitë që deri tash kanë qenë në opozitë nuk do t’i propozojnë presidentes Vjosa Osmani mandatar për kryeministër.
Pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re, të dielën, përfaqësues të Partisë Demokratike e të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se nuk i kanë votat e nevojshme që në krye të Qeverisë të zgjedhin një kandidat nga ana e tyre.
Sipas Kushtetutës, nëse përbërja e propozuar nga i mandatuari për kryeministër nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. E nëse as herën e dytë nuk votohet Qeveria, Kushtetuta përcakton se presidentja duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqit, ka thënë të dielën se me dështimin e Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje për t`u rizgjedhur kryeministër, është shënuar “fundi i një mashtrimi politik”, sipas tij.
Krasniqi ka thënë se Kurti nuk kanë lënë vend për bashkëpunim, dialog e kompromis. “Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës, nuk do të jetë. As prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, as prej zgjedhjeve te ardhshme. Epoka e qeverisjes së tij ka marrë fund”, ka thënë ai.
E deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se dështimi i Kurtit për të siguruar votat e mjaftueshme, ka kthyer procesin te qytetarët.
“Është tepër e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës ta kuptojnë që partia fituese e cila në zgjedhjet fituese mori 42 përqind të votave po e kthen besimin te qytetarët për shkak të mungesës e paaftësisë së tyre për të formuar një koalicion qeverisë”, ka deklaruar Bajrami pas përfundimit të seancës.
Opozita e përcaktuar për zgjedhje të reja
Opozita e deritanishme është përcaktuar për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Krasniqi i PDK-së e Bajrami e LDK-së kanë shprehur pritjen se në zgjedhjet e reja “qytetarët do të reflektojnë”.
Ata nuk kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit mes tyre pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me qëllimin që të formojnë një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje.
“Sa më parë që të shkojmë një hap tutje, në krijimin e institucioneve të reja, për t`i dhënë vendit Kuvend funksional dhe qeveri legjitime pa Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, është mirë për vendin tonë”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka deklaruar se do të punojnë “fuqishëm” që të dalin partia e parë në zgjedhjet e ardhshme.
“Natyrisht preferenca jonë është që të bëhet një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ajo.
Por shkuarja në zgjedhjet e jashtëzakonshme, sipas Hekuran Muratit të Lëvizjes Vetëvendosje, është vendimi më i pafavorshëm.
“Sot deputetët e opozitës e zgjodhën rrugën se cila do të jetë përpara. Me vendimmarrjen e tyre, me votimin kundër ata zgjodhën që të shkohet në zgjedhje, gjë që për neve ka qenë vendimi më i pafavorshëm marrë parasysh situatën në të cilën gjendet vendi. Pra mungesa e buxhetit për vitin 2026, marrëveshjet ndërkombëtare që presin për tu ratifikuar e shumë e shumë institucione të cilat ose kanë mbetur pa bord, ose pa buxhet ose pa mbikëqyrje. Është një situatë që në vazhdimësi po i afrohemi pikës kritike, me afrimin e fundit të vitit fiskal”, është shprehur ai.
Duke folur për tentativat që të sigurohen votat e nevojshme në seancën e së dielës, Murati ka thënë është bërë maksimumi.
“Kemi bërë ofertë të sinqertë për subjektet me të cilat kemi konsideruar që mund të bashkëpunojmë. Ato subjekte kanë refuzuar në mënyrë kategorike ose kanë pasur kërkesa që kanë qenë mbi proporcionale në raport me rezultatin zgjedhor që kanë pasur”.
Bashkëpunimin me partitë deri tash në opozitë, përfshirë edhe me Nismën Socialdemokrate me të cilën prishi koalicionin parazgjedhor, nuk e kanë telashe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ne kemi pas një koalicion. Tash nëse shkojmë në zgjedhje ne do të shkojmë vetë. Nuk na pengon nëse në një qeveri të ndërtuar nga ish-opozita do të jetë edhe Nisma”, ka deklaruar deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.
Tri datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve
Ndërkohë, Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka përmendur tri datat e mundshme në të cilat mund të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nisur nga deklarimet e shumicës së partive parlamentare se zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme, si dhe duke u bazuar në afatet kushtetuese dhe ligjore – pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e Qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, pas deklarimeve të partive politike, presidentja Vjosa Osmani “nuk mund të vonojë pafundësisht vendimmarrjen” për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë eksplicite në këtë pikë, duke mos e përjashtuar mundësinë që partitë ta refuzojnë marrjen e mandatit. Nëse ndodh kjo – pra, asnjë subjekt nuk shpreh gatishmëri për të marrë mandatin e dytë, procesi praktikisht e humb qëllimin e tij politik dhe Presidentja nuk mund të vonojë pafundësisht vendimmarrjen. Në një situatë të tillë, Presidentja, pasi të konstatojë mungesën e vullnetit për formim të Qeverisë, ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja”, ka shkruar ai.
E diela e 26 tetorit ka qenë dita e fundit nga afati prej 15 ditësh kur i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, është dashur të paraqesë para Kuvendit përbërjen e programin e qeverisë së re.
Në seancën për votimin e qeverisë së drejtuar nga ai, Kurti u fut pa arritur paraprakisht ndonjë marrëveshje politike me subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend apo deputetët individualisht.
Kësisoj, në votimin e zhvilluar, për votuan 56 deputetë, 52 ishin kundër e 4 abstenuan nga 112 sa morën pjesë në seancë.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.