Subjektet politike në opozitë nuk kanë dalë me alternativë të përbashkët për çështjen e presidentit. Njohës të çështjeve politike thonë se mungesa e bashkëpunimit mes tyre ua ka dobësuar ndikimin dhe ia ka lehtësuar pozitën Lëvizjes Vetëvendosje
Mungesa e unitetit mes partive opozitare për çështjen e presidentit e ka minimizuar rolin e saj politik dhe i ka krijuar komoditet Lëvizjes Vetëvendosje, vlerësojnë njohës të çështjeve politike.
Tri subjektet politike opozitare Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ofruar propozime as ndaras e as bashkërisht për emrin e presidentit të ardhshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjohësi i çështjeve politike Basri Muja thotë se opozita nuk ka mundur të gjejë gjuhë të përbashkët për shkak se ndonjërës nga to mund t’i interesojnë zgjedhjet e reja e ndonjërës stabiliteti institucional.
“Fatkeqësisht në këtë fazë opozita nuk është duke u sjellë si një bllok i bashkuar, i cili në situatën aktuale do të mund të ishte një aktor i rëndësishëm. Kjo tregon jo vetëm për dallime programore e konceptuale, por kjo tregon më shumë edhe për kalkulimet e tyre sepse disa janë më të zëshme për të shkuar në zgjedhje dhe disa sigurisht që e preferojnë stabilitetin dhe vazhdimin e këtij mandati”, ka thënë Muja.
E analisti politik, Afrim Kasolli, thotë se partitë opozitare është dashur që të ofrojnë një kandidaturë konsensuale që do të ishte zor e refuzueshme nga Vetëvendosje.
“Opozita në rastin e temës së presidentit e ka shkatërruar çdo kauzë të përbashkët opozitare sepse subjektet parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë pajtuar që veçmas dhe ndaras nga njëra-tjetra të negociojnë me Albin Kurtin për temën e presidentit, madje duke e përjashtuar edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu një parti parlamentare”, ka thënë Kasolli.
AAK-ja është e vetmja parti që i ka kërkuar pjesës tjetër të opozitës unifikim për çështjen e presidentit.
PDK-ja ka paralajmëruar se ditët në vijim do ta thërrasë mbledhjen e Këshillit Drejtues, për të formalizuar qëndrimet dhe veprimet e saj politike.
E LDK-ja ka ritheksuar qëndrimin se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike me partinë e parë, Vetëvendosjen.
Për ta zgjedhur presidentin kanë mbetur edhe 30 ditë kohë e takimet mes përfaqësuesve të partive ende nuk kanë nisur.