Ekspertët e prokurimit paralajmërojnë se vonesat dhe moszbatimi i vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit në institucionet publike. E gjithë kjo, sipas tyre, për shkak të qasjes së butë ndaj shkelësve nga OSHP-ja
Ani se vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik janë obligative për autoritetet kontraktuese, Komuna e Prishtinës nuk i ka zbatuar ato brenda afateve ligjore, në tenderin me vlerë rreth 2 milionë euro.
Më 19 gusht të 2025-s, tenderi “Për ndërtimin, rregullimin, vendosjen dhe pastrimin e lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga përmbytjet” u kthye nga OSHP-ja në rivlerësim.
E ndonëse rregullorja e punës e OSHP-së kërkon që rivlerësimi të bëhet brenda 15 ditësh, Komuna e Prishtinës e kreu atë katër muaj më vonë, më 31 dhjetor.
“Kur vendimi i panelit shqyrtues është për ri-vlerësim të aktivitetit të prokurimit, atëherë obligohet autoriteti kontraktues që brenda 15 ditësh, nga dita e pranimit të vendimit, të njoftojë OSHP-në lidhur me rezultatin e procesit të rivlerësimit dhe njëkohësisht t’i njoftojë palët në procedurë”, thuhet në nenin 29 të rregullores së OSHP-së.
Në vendim theksohet se OSHP-ja, sipas ligjit, ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit
Kontraktues për mosrespektim të vendimit brenda afatit të paraparë.
Këto masa parashihen shprehimisht me ligj.
“OSHP-ja do të vendosë një gjobë prej jo më pak se pesëmijë (5.000) Euro për autoritetin kontraktues që nuk zbaton një urdhër ose për mosrespektimin e urdhrit të OSHP-së brenda pesë (5) ditëve”, specifikohet në nenin 137 të ligjit - shkeljet e ligjit nga Autoriteti Kontraktues.
Në Komunën e Prishtinës nuk janë përgjigjur në pyetjet se pse rivlerësimi i lëndës ka marrë katër muaj kohë.
As në OSHP, prej ditësh nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse është ndërmarrë ndonjë masë ndaj Komunës së Prishtinës, siç e parasheh Ligji.
Komuna e Prishtinës, edhe në rivlerësim e rekomandoi të njëjtin grup operatorësh që OSHP-ja e pati shpallur të papërgjegjshëm, kur e kërkoi rivlerësimin.
Moszbatimi i vendimit, sipas ekspertit të prokurimit publik në organizatën “Demokraci Plus”, Ardit Dragusha, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rregullave të prokurimit publik.
“Vendimi i Komunës së Prishtinës paraqet një shkelje të vendimit të OSHP-së dhe rrjedhimisht një devijim nga ligji që thotë se vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit janë obligues për Autoritetet Kontraktuese”, ka deklaruar Dragusha.
Në raste të tilla, Dragusha thekson se rregullorja e prokurimit parasheh masa disiplinore për autoritetin kontraktues dhe zyrtarët përgjegjës.
“OSHP ka në mandatin e saj një hapësirë për me e dënu AK, megjithatë për personat përgjegjës të cilët janë persona zyrtar, ekzistojnë disa mundësi të cilat munden me u ngrit te Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, pra masa disiplinore e deri te revokimi i licencës së administrimit të prokurimit, këtë e merr vendim KRPP-ja”, ka shtuar ai.
E njohësi i prokurimit, Qëndrim Arifi, thotë se mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së është shqetësues ndërsa shton që ky institucion mban qasje të butë kundruall shkelësve.
“Praktikisht shohim kushtimisht një dorë të butë të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Ky institucion inicion procedura ndaj zyrtarëve përgjegjës të prokurimit vetëm në raste tejet të kufizuara dhe vetëm në raste, të themi kushtimisht, kur kemi përsëritje të vazhdueshme të mosrespektimit të vendimmarrjes së OSHP-së”, ka vlerësuar Arifi.
Arifi thotë se edhe vonesat në rivlerësim janë të kundërligjshme dhe përbëjnë shpërfillje të vendimeve të OSHP-së.
Vendimet e OSHP-së jo rrallëherë nuk zbatohen nga institucionet publike. Vitin e shkuar, KOHA pati raportuar për një tender për pajisje dentare e që nuk përputhej plotësisht me kërkesat e OSHP-së.