Presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar deputetëve të marrin përgjegjësi dhe të shmangin rrezikun që vendi të mbetet pa buxhet në vitin 2026. Tha se duhet të sigurojnë që së paku deri në mars, qytetarët të mos mbesin pa paga e pa ilaçe në spitale. Por, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e akuzoi Osmanin për ushtrim presioni ndaj partive politike dhe tha se po krijon narrativa mashtruese për zgjedhjet e reja.
Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë sërish thirrje deputetëve të tregojnë përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa buxhet.
Osmani ka thënë të martën se është e gatshme që qysh të mërkurën ta procedojë në Kuvend kërkesën për Zgjatjen Buxhetore porse, sipas saj, partitë politike nuk po shprehin gatishmëri.
“Kam folur edhe për zgjatjen buxhetore që bëhet me një vendim të Kuvendit në mënyrë që të sigurohemi që në rast se ka vonesa në krijimin e institucioneve dhe në rast se nuk ka sukses mandatari i dytë, por kjo çështje i takon partive politike dhe jo mua si presidente, që të sigurohemi që së paku deri në fund të marsit askush mos të mbetet pa paga, njerëzit të mos mbesin pa bukë mbi tavolinë, mos të mbesin pa barna në spitale”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo kërkoi reflektim nga deputetët, të cilët sipas saj, po e mbyllin vitin pa marrë kurrfarë vendimi në interes të qytetarëve.
“Ju inkurajoj edhe juve si media që t’u bëni presion pozitiv partive politike në mënyrë që këto vendime të merren nga përfaqësuesit e këtij Kuvendi, të cilët janë votuar më 9 shkurt të këtij viti, por akoma s’kanë vendosur asgjë. Le të vendosin diçka në interes të qytetarëve, sepse shkoi ky vit dhe së paku disa vendime që janë në interes të qytetarëve dhe në interes të shtetit të merren”, është shprehur ajo.
E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është ankuar për presion. Ai ka thënë se ndonëse Osmani e di se paraprakisht duhet të krijohen institucionet për ta shqyrtuar zgjatjen buxhetore, sipas tij, ajo po krijon narrativa mashtruese për zgjedhjet e reja.
“Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion te partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Për votimin e Qeverisë kanë mbetur edhe 8 ditë afat, por Osmani ka thënë se pret që kryesia ta thërrasë sa më parë seancën.
“Siç e dini seanca duhet të ftohet brenda afatit kushtetues pra kanë mbetur edhe pak ditë shpresoj kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, ka thënë ajo.
Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk janë përgjigjur se kur do ta thërrasin seancën dhe nëse kanë siguruar ndonjë votë më shumë sesa për mandatarin e parë.
Njësoj përgjigje nuk kanë dhënë as në partitë e tjera nëse ka ndikuar tek vota e tyre ndryshimi i kandidatit për kryeministër nga LVV-ja.
I mandatuari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, ka kohë deri më 19 nëntor që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë. Dështimi potencial i tij për t’i mbledhur 61 vota, do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre nga presidentja.