Arbëri

Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së demonstron një skenar të improvizuar para Osmanit

Vjosa Osmani

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim presidenten Vjosa Osmani.

Sipas një njoftimi të FSK-së, Osmani dhe Jashari kanë ndjekur nga afër demonstrimin e një skenari të improvizuar, gjatë të cilit pjesëtarët e Njësisë së Operacioneve Speciale të FSK-së, thuhet se shfaqën nivel të lartë profesionalizmi, përgatitjeje dhe koordinimi.

“Gjatë vizitës u mbajt një brifing informues i njësisë së Operacioneve Speciale të FSK-së, ku u prezantuan qëllimi dhe objektivat e njësisë. Gjatë këtij prezantimi gjithashtu u diskutua mbi avancimet dhe kapacitetet profesionale të kësaj njësie elite të FSK-së”, thuhet në njoftim. 

Osmani dhe komandanti i FSK-së thuhet se janë shprehur të kënaqur me të arriturat e përgjithshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në veçanti me progresin e Njësisë së Operacioneve Speciale. 

“Në përmbyllje të vizitës, Presidentja Osmani drekoi së bashku me pjesëtaret të gjinisë femërore të FSK-së, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të Forcës, si dhe në promovimin e barazisë gjinore në shërbim të vendit”, thuhet në njoftim.

Për vizitën e saj në FSK, ka shkruar edhe Osmani. 

“E stërvitur dhe e përgatitur sipas doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për ta mbrojtur atdheun në çdo moment dhe në çdo pëllëmbë të vendit, kjo është Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës. Ata nuk mbajnë vetëm uniformën e shtetit, por edhe amanetin e lirisë sonë!”, ka shkruar Osmani.