Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një reagim Osmani ka shkruar se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka thënë se në luftë Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, ka shkruar Osmani.
Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim për katër të akuzuarit e rastit më të madh të Dhomave të Specializuara. West i kërkoi Speciales po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.