Arbëri

Osmani i kërkon presidentit hungarez mbështetjen për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Vjosa Osmani - Tamas Sulyok

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidentin e Hungarisë, Tamas Sulyok. Në takim Osmani ka kërkuar nga Sulyok mbështetjen për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. 

“Në takimin bilateral me presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës. 

Bashkimi Evropian i kishte vendosur masa ndëshkuese Kosovës në qershor të vitit 2023. 

Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës  drejt heqjes graduale të masave të vendosura ndaj Kosovës, por pasi të zgjidhen ato.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Yuliya Matsyk, ka thënë se Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë — dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve... BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigje.



 

Osmani pret në takim presidentin e Hungarisë, Tamas Sulyok

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të hënën në takim presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok.

Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm gjatë pritjes dhe në fillim të takimit. Ndërkaq nuk është paraparë as konferencë për media pas përfundimit të takimit.

Ky është takimi i dytë mes Osmanit dhe Sulyokut. Osmani gjatë muajit qershor të këtij viti është pritur në takim zyrtar nga presidenti hungarez në Budapest.