Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pa opozitën, Projektligji për çmimet tavan procedohet për seancë

Komisioni per ekonomi

Foto: Driton Paçarada

Me vështirësi për sigurimin e kuorumit dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, Komisioni për Ekonomi ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin për çmimet tavan, duke i hapur rrugë shqyrtimit të dytë në seancën e nesërme të Kuvendit. Ndryshimet e propozuara nuk heqin dilemat për mënyrën e zbatimit dhe përcaktimit të çmimeve.

Komisioni për Ekonomi pasi arriti që me vështirësi ta siguronte kuorumin e ka miratuar dhe ka dërguar për në seancë Projektligjin për çmimin tavan në shqyrtim të dytë. 

Në këtë mbledhje munguan deputet e opozitës dhe u dash të pritej 20 minuta një deputeti nga pushteti për tu bërrë kuorumi e më pas Komisioni votoi raportin me 26 amendamente, 8 prej të cilave ishin nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, por që nuk u përkrahen nga Komisionit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E filluam këtë takim duke u munduar të akomodojmë prezencën për kuorum për këtë mbledhje. Me prezencën e juaj është konstatuar edhe mundësia për vazhdimin e votimit”, ka thënë Kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Rozeta Hajdari. 

Por vetëm pasi u votua raporti, në Komision arritën edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e deputetja Duda Balje.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, iu bëri thirrje kolegëve të tij opozitarë që në seancën e së enjtes ta përkrahin këtë projektligj.

“Ky proces që sot po merr epilog është një kambanë për opozitën që sa i takon këtij projektligji që është i nevojshëm për qytetarët që të jenë në seancë kur ta trajtojmë këtë projektligj dhe ta mbështesin me votë”, theksoi Hyseni.

Me amendamentet e përkrahura nga Komisioni janë rekomanduar disa ndryshime, siç është shkurtimi i afatit që Qeveria shpall konkurs publik për përzgjedhjen e Bordit të Pavarur që pritet të themelohet me këtë Projektligj. Nga 60 sa ishte, u rekomandua që të bëhet 30 ditë.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, përmes amendamenteve ka propozuar që procedura e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të jashtëm të iniciohet nga Kuvendi përmes një shpalljeje publike dhe lista e ngushtë të bëhet nga komisioni në përbërje me profesorë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Por, Komisioni ka propozuar që Ministria të iniciojë procedurën e përzgjedhjes, ndërsa Qeveria të zhvillojë procedurën e konkursit.

Deputetja Ymeri ka propozuar po ashtu që me këtë projektligj të përcaktohet edhe llogaritja e marzhës tregtare, por që as ky propozim nuk u përkrah.

Rekomandimet e tjera të përkrahura nga Komisioni ishin ndryshime të vogla teknike, duke mos ndryshuar në thelb Projektligjin. 

Ekonomistët theksojnë se Projektligji duhet të ketë kritere të matshme dhe targetim më të saktë. 

Sipas tyre, aty nuk është qartësuar as metodologjia për përcaktimin e çmimeve dhe marzhës tregtare dhe se delegimi te Bordi pa një formulë transparente, rrit pasigurinë dhe ul llogaridhënien.

“Ligji merret me çmimet, por jo me shkaqet strukturore si përqendrimi i tregut, konkurrenca e kufizuar dhe varësia nga importi, prandaj efekti rrezikon të jetë vetëm afatshkurtër. Çuditërisht Ligji nuk e trajton problemin më klasik që lidhet me çmimet tavan: rrezikun e mungesave. Nëse çmimi maksimal vendoset nën nivelin e ekuilibrit të tregut, atëherë furnizuesit kanë më pak stimul për të ofruar produktin, dhe si rezultat mund të krijohen mungesa, racionim apo tregje informale”, pati thënë ditë më parë për KOHËN ekonomistit, Edison Jakurti.

Kuvendi i Kosovës në seancën e 10 prillit  ka miratuar në lexim të parë Projektligjin masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, mes kundërshtimeve nga partitë opozitare.

Për projektligjin votuan 63 deputetë, 19 ishin kundër dhe nuk kishte asnjë abstenim.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023, kur gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë më 3 prill, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses.

Ligji i kaluar, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i cilësonte produkte themelore: drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.