Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq kanë akuzuar pushtetin lokal se ka paguar 1.9 milion euro pa u kryer fare punimet në projektin e koogjenerimit dhe në vazhdimin e sheshit “Adem Preniqi”, dhe kanë paralajmëruar kallëzim penal. Por në Komunë thanë se këtë e kanë bërë konform ligjit
Komuna e Obiliqit ka dhënë avancë rreth 2 milionë euro për dy projekte, pa u kryer punët.
Veprimin që është bërë fundvitin e shkuar, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë konsideruar joligjor dhe kanë paralajmëruar kallëzim penal ndaj ekzekutivit komunal.
“Bëhet fjalë për projektin e koogjenerimit, ku sipas raportit financiar të Drejtorisë së Financave janë paguar 1.9 milion pa filluar asgjë, vetëm ky objekti prapa ku janë vendosur dy gypa. Do të thotë nuk është filluar asgjë në këtë drejtim, si dhe për vazhdimin e sheshit “Adem Preniqi” që janë paguar 200 mijë euro gjithashtu pa filluar fare. Ne konsiderojmë se është shkelje ligjore, sepse pagesat bëhen vetëm atëherë kur kryhen situacione të caktuara”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i grupit të këshilltarëve të VV-së në Obiliq.
Zyrtarët komunalë e kanë pranuar se kanë bërë pagesa pa u kryer punët. Në një përgjigje me shkrim, ata thanë se është vepruar konform ligjit, i cili lejon avancat deri në 10 për qind të shumës së kontratës. Kësisoj, sipas tyre, në këtë përqindje janë bërë pagesa për projektin “Shtrirja e rrjetit të koogjenerimit”, që ka vlerë kontrate 11.8 milionë euro, dhe për projektin e ndërtimit të sheshit “Adem Preniqi”, që ka vlerë mbi 700 mijë euro.
“Projekti ‘Shtrirja e rrjetit të koogjenerimit’ vlera e kontratës është 11,849,684.51€, ndërsa për vitin 2022 është bërë pagesa prej 10% e avancës në muajin nëntor sipas Ligjit për Financat Publike, në vlerë 1,184,968.45€ dhe pagesa për furnizimi me pajisjeve për shtrirjen e rrjetit, në vlerë prej 295,905.23€. Projekti ‘Ndërtimi i sheshit Adem Preniqi – vazhdim’, kontrata e lidhur në vitin 2022 në vlerë prej 756,515.76€, është bërë pagesa e avancës prej 10% në vlerë 75,651.58€, si dhe pagesa për furnizim me pajisje në vlerë prej 124,348.42€”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit.
Por në partinë kryesore në opozitë në Obiliq thonë se ka edhe mospërputhje të shpenzimeve për gati gjysmë milioni ndërmjet raportit të Drejtorisë së Financave dhe atij të Zyrës së Prokurimit.
“Janë dy raporte, është raporti i Drejtorisë së Financave që specifikon që janë harxhuar për projektin e koogjenerimit për vitin 2022 rreth 1.9 milion euro, ndërkohë që për të njëjtin projekt në raportin e prokurimit përfshihen 1.4 milion euro”, ka thënë Sami Ahmeti nga Vetëvendosje.
Zyrtarët komunalë janë arsyetuar se Zyra e Prokurimit ka raportuar vetëm për kontratat e lidhura gjatë vitit 2022, ndërsa Drejtoria e Financave, sipas tyre, raporton për të gjitha shpenzimet gjatë vitit fiskal.
Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë theksuar se pagesat avancë Komuna i ka bërë vetëm për ta zvogëluar suficitin buxhetor.