Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët me kancer paraqiten për terapi nga ora 4 e mëngjesit

onkologjia

Avdullah Krasniqi nuk e ka sfidë vetëm sëmundjen e kancerit. 

Në betejën për ta mundur atë, i duhet të zgjohet pa lindur dielli, sa herë merr terapi në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Ai tregoi se në klinikë ka mbërritur në ora 4 e 30 minuta, të mëngjesit.

“Vështirë është boll se po duhet me u qu në gjysë n’4 të mëngjesit, me ardhë këtu herët me nxan numrin, se tani po bëhet kallaballëk. Shumë kallaballëk po bahet. Që 3 muaj vi këtu çdo 10 ditë”, ka thënë Krasniqi.

Vendimi që Klinika e Onkologjisë të punojë me dy ndërrime, nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në 19:00 të mbrëmjes, është marrë që në tetor të vitit 2024 nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK). Por, prej muajsh, vendimi nuk zbatohet.

Edhe Një ditë me mantelbardhët që ndihmojnë pacientët të luftojnë kancerin SOT 8 muaj më parë Një ditë me mantelbardhët që ndihmojnë pacientët të luftojnë kancerin

Drejtori i atëhershëm, Osman Hajdari, vendimin e pati arsyetuar me shmangien e pritjes së gjatë të pacientëve e edhe të tollovive në Klinikë.

Por, pacientët e diagnostikuar me kancer, për ta zënë rendin e tyre për kimioterapi, shkojnë në Klinikë që në orët e hershme të mëngjesit, në një kohë kur puna ende nuk ka nisur as në recepsion e as nga mjekët.

Pashkë Cena nga Gjakova, e diagnostikuar me kancer në gji, thotë se për të është sfidë javore që të vijë herët në mëngjes për kimioterapi.

“Në orën 05:20 jam nisë për me ardhë këtu e kam për me ardhë për çdo javë edhe duhet me ardhë kaq herët për me nxan vendin këtu, me marrë letrën për me mujtë me hy, se po bahet shumë. Deri ora 1 pasdite (mund ta marrim terapinë), se nganjëherë s’mundesh as me hy se po bëhet tollovi te dera tu pritë”, ka thënë Cena.

E, Nashide Balaj thekson se pos atyre si pacientë, ardhja herët në mëngjes për ta zënë rendin po u shkakton probleme edhe familjarëve që janë shoqërues të pacientëve.

Edhe Mbi një mijë raste të regjistruara me kancer në Onkologji Arbëri 10 muaj më parë Mbi një mijë raste të regjistruara me kancer në Onkologji

“Na personalisht vijmë çdo tri javë e djali vjen këtu dy herë derisa të vjen rendi me u kontrollu te mjeku. Vjen e merr numrin, kthehet prapë, vjen më merr mua dhe më sjell këtu, se prej orës 4 po duhet me ardhë këtu me nxan rendin. Unë personalisht e marr kimioterapinë”, ka treguar Balaj.

E drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka konfirmuar se në këtë klinikë punohet vetëm me një ndërrim.

Kurteshi ka sqaruar se vendim i ri është marrë disa muaj më parë nga drejtoria e SHSKUK-së, ndërsa ka sugjeruar KOHËN që për më shumë informata lidhur me ndërrimin e vendimit t’i drejtohet këtij institucioni.

KOHA i ka dërguar pyetje edhe drejtorisë së SHSKUK-së lidhur me arsyet pse nuk ka vazhduar zbatimi i vendimit të marrë nga ish-drejtori Osman Hajdari për punën me dy ndërrime në Klinikën e Onkologjisë, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Edhe Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht Arbëri 1 d. më parë Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht

Klinika e Onkologjisë, ka 110 shtretër për pacientët që kanë nevojë për kimioterapi, dhe 12 shtretër për hospitalizim të pacientëve.

Në këtë klinikë janë të angazhuar 12 mjekë onkologë.