Arbëri

Pacientët në Onkologji detyrohen t’i blejnë vetë barnat esenciale

Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK pacientët përballen me mungesën e albuminës dhe zometanit. Familjarë e pacientëve, nga frika se mund të kenë pasoja, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por prapa tyre kanë treguar se situata brenda klinikës është bërë “si në gjendje lufte”. Në SHSKUK e pranojnë mungesën dhe thonë se janë në pritje të furnizimeve të reja

Pacientë të Klinikës së Onkologjisë vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave esenciale. Familjarë të tyre, pas kamerave, kanë treguar për KOHËN se kanë frikë të flasin publikisht për shkak se, sipas tyre, brenda QKUK-së po mbretëron gjendje e tensionuar që e përshkruajnë “si në luftë”.

Një familjar tregon se prej disa javësh po përballet me mungesë të albuminës, një preparat thelbësor për pacientët që trajtohen me kimioterapi.

“Albumina s’ka. Jemi ka lypim tana anët, po s’ka që 10 ditë. Albuminat që janë më të shtrenjta nuk ka gati që tri javë, veç ndoshta naj njo që i kanë majtë msheft me ia dhanë najkujt, ama s’ka. Kemi lyp edhe në Prizren – as aty s’ka. kur i hiqet uji, duhet me marrë 5 ditë albuminë, po këta s’e qesin, thonë s’ka. I thashë dal e siguroj vetë, më thanë duhet. Dje i gjeta tri copa, 29 euro copa. Ma herët kanë qenë 26, 35 e 39 euro, pa fatura. Me ja lyp faturën, s’ti japin. Është shumë rrezik me folë, si gjendje lufte”.

Ekipi i KOHËS ka verifikuar situatën në disa barnatore afër QKUK-së, ku farmacistët kanë konfirmuar mungesën e albuminës dhe kanë treguar se herë pas here mund të ketë sasi të vogla në ndonjë barnatore.

“Albumina është preparat esencial,... është e çuditshme edhe për neve se pse s’ka”, është shprehur njëri prej farmacistëve. 

Përveç albuminës, QKUK-ja po përballet edhe me mungesa të tjera barnash. 

Një familjar tjetër ka treguar se është duke e blerë vetë ilaçin zometan, i cili përdoret për pacientët me kancer në eshtra.

“M’bjen me ble për …. jam ka e marr zometin (gazetarja – zometan?) Po, ai. Çmimi prej 20 euro, 11, 7.5 euro qashtu, jam ka e blej që nja 4-5 muaj”, ka thënë familjari i një pacienti. 

Për mungesë barnash janë ankuar edhe disa qytetarë të tjerë.  

“Katër terapitë që i kam marrë, m’u ka dashtë me i ble. Në atë barnatore i kam ble 85 euro, e në një tjetër ishin ma lirë, 25 euro copa. I llogarita, dolën 58 euro të dyja, po unë i kisha ble 85”, ka thënë njëri prej tyre. 

E një tjetër qytetarë tregon se është shtrënguar të blejë terapi katër herë. 

“50 euro copa, 100 euro gjithsej...”, ka treguar ai. 

KOHA i ka të sigurta të gjitha të dhënat për pacientët, por për të ruajtur privatësinë e tyre dhe për të mos i rrezikuar, ka fshehur çdo informacion që mund ta identifikojë.

Në Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) e kanë pranuar mungesën e albuminës dhe të preparatit zometan, duke shtuar se janë në pritje të furnizimit. 

“Sa i përket albuminave, operatori ekonomik ka deklaruar se ka probleme me prodhim dhe jemi duke shqyrtuar nëse ka plotësuar kushtet për shkëputje kontrate. Sa i përket produktit zometan, jemi në pritje të furnizimit nga operatori ekonomik me të cilin kemi kontratë”, bëhet e ditur në përgjigjen e SHSKUK-së.

KOHA ka raportuar edhe më parë për mungesat e barnave esenciale, jo vetëm në Klinikën e Onkologjisë. Institucionet shëndetësore kryesisht arsyetojnë mungesën me procedurat e furnizimit. 

Për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHKKUK) për vitin 2025 janë ndarë 105 milionë euro, ku përfshihen buxheti për barna esenciale, materiale tjera të nevojshme dhe shërbime shëndetësore. Për Klinikën e Onkologjisë, Qeveria Kurti, pati premtuar se do të shtojnë barna të reja në listën esenciale dhe se më 2025 për herë të parë niveli i furnizimit në Klinikën e Onkologjisë do të jetë 100 për qind.