Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka komentuar vizitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Palokaj ka thënë se vizita e tij pas zgjedhjeve kur edhe pritet që të formohen shpejtë institucionet, do të thotë se po testohet terreni për ta vazhduar me ndonjë takim të nivelit të lartë.
“Fakti që ai e viziton Kosovën menjëherë pas zgjedhjeve kur pritet që tashmë të formohen shpejtë institucionet sepse nuk ka më paqartësi, fakti që ka biseduar në Kosovë me të gjithë faktorët; edhe me qeverinë në detyrë edhe me fituesin e zgjedhjeve edhe me partitë opozitare edhe me presidenten dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm në Kosovë do të thotë se dëshiron të testojë terrenin për të vazhduar dialogu dhe mundësisht për të organizuar edhe ndonjë takim të nivelit të lartë”, ka thënë Palokaj
Palokaj në emisionin “Interaktiv” në KTV, deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që ka pritje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë.
Palokaj thekson se kanë kaluar më shumë se dy vite prej kur nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë dhe se në një mënyrë është edhe dështim i përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas.
“Atij (Peter Sorensen) po i skadon mandati së shpejti ndërkohë që ia kanë vazhduar për së paku edhe dy vite. Nuk ka dyshim qe BE-ja dëshiron që procesi të vazhdojë. Procesi nuk ka sjellur asnjë fryt në vitin 2025. Ka pritje që të ringjallet. Kur thuhet kjo, në një mënyrë është pranim se dialogu është pothuajse i vdekur dhe nuk ka pasur lëvizje të duhura deri më tash. Kanë kaluar më shumë se dy vite prej kur është zhvilluar takimi i fundit në nivel të lartë në proces të dialogut dhe pa këso takime nuk mund të ketë asnjë lëvizje domethënëse në procesin e dialogut. Kjo në një mënyrë është edhe dështim i përfaqësueses së lartë të BE-së Kaja Kallas e cila është në këtë post për më shumë se një vit dhe nuk ka organizuar asnjë takim”, ka thënë Palokaj në “Interaktiv” në KTV.
Megjithatë Palokaj potencoi se në BE fajin dhe përgjegjësinë për moszhvillim të asnjë takimi të nivelit të lartë në BE, ia lënë Kosovës e Serbisë duke e përmendur shprehjen “kur të krijohen kushtet e duhura”.