Edhe pse kapacitetet i ka për 600 vende parkimi, parkingu nëntokësor më shumë ka qëndruar i zbrazët sesa me vetura.
Kjo pasi çmimet e larta me të cilat ka filluar të operojë ka bërë që t’i mbajë “larg” vetes qytetarët.
Megjithatë ka tre muaj qëkur operatori ekonomik, që e ka nën menaxhim këtë parking “Prishtina Center”, ka futur në përdorim ofertat e reja.
Duke filluar nga ora 07.00 e mëngjesit deri në orën 19.00 të natës, duke i përfshirë edhe vikendet gjatë gjithë muajit, çmimi do të jetë 60 euro në muaj.
Kurse parkimi nga ora 17:00 e pasdites deri në orën 08:00 të mëngjesit me ofertën e re do t’iu kushtojë qytetarëve 40 euro në muaj.
“Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ne e kemi bërë edhe ndryshimin e çmimeve të parkimit. Edhe në fillim kur e kemi bërë hapjen patëm deklaruar që çmimet nuk do të jenë statike, sepse çdo biznes pëson edhe ndryshimet e veta ndër vite, me kërkesë të qytetarëve është bërë edhe ndryshimi i çmimeve. Për momentin e kemi pakon e ditës, që e kemi nga ora 07:00 në mëngjes deri në ora 19:00 të natës. Çmimi është i vlefshëm gjatë gjithë ditëve të muajit duke përfshirë edhe vikendet. Pakon e natës prej orës 17:00 deri në ora 08:00 në mëngjes çmimi i saj është 40 euro në muaj dhe pakon mujore 24 orë me qasje pa vend të rezervuar, çmimi i saj është 100 euro”, ka thënë Korab Fazliu, drejtor i “Prishtina Center”.
Sipas Fazliut, këto ndryshime kanë ardhur për shkak të kërkesës së qytetarëve e jo nga mospërdorimi i parkingut.
“Mandej fluksi i veturave për parkim varet edhe në bazë të sezoneve, edhe pse ka qenë viti i parë parkingu ka qenë i stërngarkuar, mirëpo duhet ta dimë që çdo biznesi i duhet një kohë deri të shtrihet në tregun ku operon, nuk mundemi për një vit ta mbushim parkingun, është e pamundur. Ky parking e bën lirimin e hapësirave në kryeqytet. Nuk ka ardhur për shkak të mosfrekuentimit të parkingut, por si pasojë e kërkesës së qytetarëve”, ka thënë tutje ai.
Edhe qytetarët i mirëpritën ofertat e reja, edhe mes tyre kishte pakënaqësi për lokacionin e këtij parkingu.
Gjatë muajit nëntor do të ketë edhe oferta të vikendit, ku tarifat e reja do të aplikohen në këtë mënyrë: 2 orët e para të qëndrimit klienti do të paguajë 1 euro, pas dy orëve të qëndrimit orët e tjera do të llogariten për 50 centë për orë.
Ankesat e qytetarëve ishin të shumta në kohën kur hyri në funksion ky parking, sidomos për abonimin vjetor, i cili kushtoi 2 mijë e 500 euro.