Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas dëmeve nga breshri, paralajmërohet “një qendër e paralajmërimit” për bujqit

Armend Muja demet bresheri

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, pas dëmeve që breshri ka shkaktuar në Istog, ka paralajmëruar themelimin e një qendre të paralajmërimit të hershëm, që bujqit të mos ballafaqohen papritmas me situata të njëjta.

Muja nga fshati Kovragë në Istog ka thënë se breshri ka shkaktuar dëme në pothuajse të gjitha fshatrat e kësaj komune.

“Ajo çfarë ne dëgjojmë nga fermerët është nëse ka vërshime, brymë apo breshër... ajo çfarë është e sigurt është që Ministria e Bujqësisë i ka rishikuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e Kosovës. Rrjetat e breshrit ishin megjithatë një mburojë, serrat ishin megjithatë një mburojë. Është e vërtetë që janë dëmtuar serrat, por kulturat bujqësore janë ruajtur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të rritet edhe vetëdija mbi nevojën e mbështetjes së sigurimit bujqësor. Unë mendoj që ky është hapi për tejkalimin e sfidave”, ka thënë Muja. “Në ndërkohë bashkë me kryetarin u pajtuam që të eksplorojmë ndoshta themelimin e një qendre të paralajmërimit të hershëm, që bujqit tanë të mos ballafaqohen papritmas me këto situata. Na duhet të mendojmë për bujqësinë e së ardhmes. Istogu dhe bujqit e Istogut do ta tejkalojnë këtë situatë bashkërisht. Ju faleminderit të gjithëve që ishit prezentë këtu. Do të jemi në kontakt. Bashkë me kryetarin do të formojmë edhe ekipet e përbashkëta për ta tejkaluar këtë sfidë”.

Ndërsa, kryetari i komunës Ilir Ferati, ka thënë se në Istog ka ndodhur një fatkeqësi e madhe natyrore.

“Jemi bashkë sot këtu me ministrin mbas një fatkeqësie fort të madhe natyrore që ka ndodhur në Istog gjatë ditës së djeshme. Jemi në fshatin Kovragë, konkretisht te familja Gjocaj, me qëllimin që të vazhdojmë edhe te pjesa e plantacioneve të mollëve te familja Blakaj. Qëllimi është t’u afrohemi fermerëve në këtë rast ku dëmtimet janë të rënda, e t’ju garantojmë që bashkërisht me ministrin e Bujqësisë të cilin e falënderoj për vizitën dhe qasjen që pati, do t’ju qëndrojmë afër. Këtë e bëjmë me qëllim që të mundohemi t’i kompensojmë, e në të njëjtën kohë t’i motivojmë dhe stabilizojmë këto ekonomi familjare, të cilat nuk janë të vogla. Siç po e shihni mbrapa nesh, është një fushë e tërë me shalqi. Patëm vizitë te serrat, patëm vizitë te fushat me speca, e pothuajse”, ka thënë ai.