Arbëri

Pas hulumtimit të KOHËS, ngrihet aktakuzë për çështjen e renovimeve në Ministrinë e Bujqësisë

Ministria e Bujqesise

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SHPK për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Aktakuza vjen pas hulumtimit të KOHËS i cili pati zbuluar se Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për largimin e inventarit nga objekti, në të cilin e ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 - 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.

Ndërkohë, L.Z., si person përgjegjës i “Limit Project” akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht.

Si pasojë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro.

“Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

KOHA ka raportuar se si Ministria e Bujqësisë pati paguar rreth 48 mijë euro më shumë krahasuar me çmimin e paraparë nga kompania projektuese për largimin e inventarit nga ndërtesa në Ulpianë, në një pjesë të të cilit objekt për vite e pati selinë AAK-ja.

Kompania ka paraparë që për largimin e inventarit nga 33 hapësira, çmimi i përgjithshëm të jetë 18 mijë e 300 euro. Sipas kompanisë projektuese, për 2 hapësira duhej paguar nga 50 euro, për 22 të tjera nga 100 euro, për 1 hapësirë 300 euro, për 1 tjetër 700 euro, për 3 hapësira nga 1.500 euro, për 3 të tjera nga 2.500 euro, kurse për 1 hapësirë 3.000 euro

Por, Ministria kontraktoi konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Limit Project” dhe “Lurn”, e i cili te pozicioni i largimit të inventarit ka aplikuar me çmim gati katërfish më të lartë sesa ai i paraparë nga projektuesi. Për secilën nga 33 hapësirat që kishin madhësi të ndryshme, pagoi nga 2 mijë euro, përfshirë edhe për 22 hapësirat që projektuesi kishte paraparë kosto 20 fish më të ulët. Kësisoj, 66 mijë euro Ministria i dha për heqjen e inventarit, në kuadër të kontratës për renovim me vlerë totale prej rreth 360 mijë eurosh.

Në kompaninë “Limit Project” patën thënë se inxhinierët i kanë vendosur çmimet e njëjta për secilën hapësirë që lidhet me largimin e inventarit.