Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pritur në takim edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën në objektin e Qeverisë.
Sorenseni paraprakisht u takua me presidenten Vjosa Osmani.
Për herë të fundit, raundi i dialogut Kosovë – Serbi ishte mbajtur më 10 qershor. Pas takimit mes kryenegociatorëve, emisari i BE-së pati thënë se po bëheshin përgatitje për takim të nivelit të lartë.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para se një grup serbësh të armatosur, në krye me Milan Radoiçiqin, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
