Kërkesa që pompat insulinike të përfshihen në Listën e Barnave Esenciale është dorëzuar nga Klinika e Pediatrisë, e cila është duke u shqyrtuar nga komiteti kyç i Listës së barnave esenciale. Megjithatë, ndonëse përdorimi i tyre ka filluar që nga viti i kaluar në Klinikën e Endokrinologjisë, vetëm pesë pacientë aktualisht po trajtohen me këtë metodë
Klinika e Pediatrisë ka dorëzuar kërkesë që pompa insulinike, e cila përdoret për trajtimin e fëmijëve me Diabet Tip 1, të përfshihet në Listën e barnave esenciale, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Që kjo pajisje të bëhet pjesë e Listës esenciale ka qenë synim edhe i Klinikës së Endokrinologjisë që nga viti i kaluar për pacientët me diabet tip 2, por deri më tani kjo nuk është realizuar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, e cila është edhe anëtare e komisionit për shqyrtimin e kërkesave, ka thënë se kërkesa e paraqitur nga Klinika e Pediatrisë është hera e parë që po trajtohet në panel.
“Ajo është kërkesa e parë në panel, ajo nga Pediatria. Unë e kam përkrahur dhe normalisht të njëjtin mendim e ndajmë edhe për ne, për të rriturit. Por prioritet kanë fëmijët. Sapo të fillojë për fëmijët, është sikur të fillojë edhe për ne, sepse ato pompa insulinike më pas mund të përdoren edhe për ne në raste të veçanta. Por, ende nuk ka një vendim”, ka thënë Emini-Sadiku.
Sipas drejtoreshës së Endokrinologjisë, shqyrtimi i kërkesës së Pediatrisë ende nuk është finalizuar, pasi duhet të kalojë nëpër disa procedura.
“Pas paraqitjes në nënkomitetin internistik për sëmundje internistike, ajo vazhdon më pas, prapë duhet të bëhet ekspozeja e kërkesës deri në fazën e finalizimit. Pra ende nuk ka finalizim. Përpjekje ka vazhdimisht dhe ne jemi që këto pompa insulinike të hyjnë në listën esenciale, fillimisht me prioritet për fëmijët, e më pas edhe për ne, në raste më të rënda ku pompa mund të jetë zgjidhje”, ka thënë ajo.
Që nga qershori i vitit të kaluar, kur edhe KOHA ka raportuar se në këtë klinikë ka filluar përdorimi i pompës insulinike, numri i pacientëve që trajtohen me këtë pajisje ka mbetur i njëjtë.
“Sa i përket numrit, ne kemi dy pompa që menaxhojmë si donacion me material shpenzues që i kemi marrë vitin e kaluar dhe kemi dy pacientë që trajtohen me to. Ndërsa edhe tre pacientë të tjerë i kanë blerë vetë pompat dhe i kanë shpenzimet ata, por ne i menaxhojmë. Pra jemi katër mjekë të trajnuar për pompa dhe dy infermierë në dy faza. Stafi është i trajnuar dhe i gatshëm, por nuk kemi pompa në listë”, ka thënë Emini-Sadiku.
Në QKUK të pyetur nëse edhe klinikat e tjera kanë kërkesa për shtimin e ndonjë bari apo produkti në Listën esenciale, kanë sugjeruar të merret përgjigje nga komiteti përkatës.
Por përgjigje më të detajuar nuk ka dhënë as kryesuesi i Komitetit Kyç për Listën e barnave esenciale, Amir Keka, i cili ka bërë të ditur se aktualisht janë vetëm në fazën e grumbullimit të kërkesave.
“Propozimet e klinikave ende janë proces të grumbullimit, shqyrtimit, vlerësimit dhe finalizimit nga ana e nënkomiteteve përkatëse. Në momentin e aprovimeve finale nga ana e nënkomiteteve, të njëjtat do të adresohen për shqyrtim final në Komitetin kyç”, ka thënë Keka.
Rishikimi i Listës së barnave esenciale për herë të fundit është bërë në dhjetor të vitit 2024, kur janë shtuar shtatë produkte të reja.
KOHA ka pyetur sërish Ministrinë e Shëndetësisë se kur pritet të bëhet rishikimi i radhës i Listës, por nuk ka marrë përgjigje.